Loading...

Kullat e Dukat-it me vlera historike

PËRSHKRIMI

Në fshatin Dukat ndodhet një kompleks ndërtimor me vlera historike.I ndërtuar në fillim të shek. XIX ky kompleks mban emrin e Dervish Aliut, personazh i njohur si organizator I revoltave fshatare kundër reformave të Tanzimatit në Shqipëri gjatë viteve 1847-1848.Banesa është ndërtuar në tokën e tij nga mjeshtrat vendas. Ajo përfaqëson banesë të tipit Kullë me tipare mbrojtëse nga më të arrirat në të gjithë Shqipërinë e Jugut.

Si pjesë më të rëndësishme të këtij ndërtimi përmendim kullën e vrojtimit, kullën mbrojtëse, divani me kollona gri e harqe, shtëpinë e bukës, odën e miqve e banesa të tjera ndihmëse. Në banesën e ngritur mbi një truall kulmor janë hapur frëngji (vende ku gjuanin luftëtarët) nga ku kontrollohet i gjithë territori përreth. Kjo e shndërron këtë ndërtim në një kështjellëz të fortifikuar. Kompleksi është shpallur monument culture në vitin 1979.

HISTORIKU
Mbi një truall kulmor në të majtë të fshatit Dukat ngrihet një grup i madh ndërtimor, i cili mban emrin e Dervish Aliut, personazh i njohur si organizator I revoltave fshatare kundër reformave të Tanzimatit në Shqipëri gjatë viteve 1847-1848..
Ansambli i, cili është ndërtuar në SHEK. XVIII, përbëhet nga një kompleks banesash dhe nga dy kulla e mure rrethuese, duke krijuar kështu një kompleks ndërtimor të mbyllur, që ka formën e një trekëndëshi. Nga viti 1986 deri në vitin 1990, ky kompleks ka shërbyer si muze i fshatit Dukat.
Ansambli ndërtimor i kullave të Dervish Aliut, përsa i përket teknikës së ndërtimit ruan në përgjithësi tiparet e ndërtimeve të krahinës së Labërisë. Muratura e të gjitha ndërtimeve është punuar me gurë kave, të lidhur me llaç gëlqereje. Me përjashtim të kullave, muret e ndërtesave të tjera janë përforcuar me breza druri për ti dhënë elasticitetin e duhur në rast tërmetesh.
Çatitë origjinale kanë qënë mbuluar me rasa guri, ndërsa dyshemetë në përgjithësi janë prej druri. Kullat e Dervish Aliut janë shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës, NR. 266/1, DT, 16.02.1979, dhe është në vëmëndjen e DRKK Vlorë për vetë vlerat e veçanta që ajo mbart.
Krahina e Dukatit është një krahinë e veçantë nga pikëpamja etno-kulturore që nga mënyra e të folurit, veshja tipike e cila lidhet me veshjen e zonës së bregdetit, mënyra e të kënduarit e kengës labe ku spikat kënga treshe e njohur si “Treshja e Dukatit”. Shumë objekte të trashëgimisë janë të veçanta dhe janë të ruajtura me fanatizëm brez pas brezi duke dëshmuar për një traditë në shekuj të kësaj kulture.Burimi: Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Vlorë

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com