Në stadiumin e futbollit të qytetit të Sarandës ka nisur prej kohësh puna përgatitore, që i hap rrugë investimit për ndriçim shtesë.
Ditën e sotme puna për këtë investim është konkretizuar me betonimin e armaturës së hekurt të bazamentit për 4 shtyllat, që do të fuqizojnë dukshëm sistemin e ndriçimit të stadiumit në të dy krahët e tij.
Bashkia e Sarandës shprehet se është për t’u vlerësuar dhe falënderuar mbështetja e ofruar nga biznesi vendas, për ta realizuar këtë investim me kosto sa më të ulët.
Me përfundimin e këtij investimi, krijohen kushte optimale e komode për t’u stërvitur në një hark kohor shumë më të zgjatur ekipet zinxhir, pa përjashtuar orët e mbrëmjes dhe natën dhe duke mos marrë kohën e njeri-tjetrit.
Për specialistët e futbollit dhe drejtuesit e tij në Sarandë, kjo do të thotë më shumë mundësi për të prekur kuota të reja masiviteti në këtë lloj sporti kaq popullor, nga do të dalë edhe elementi më cilësor.
Sipas tyre, ofrimi i një ndriçimi të tillë është një hap i rëndësishëm përpara dhe një nxitje për t’i dhënë jetë idesë për ngritjen e një Akademie të mirëfilltë të Futbollit në Sarandë, me pjesëmarrje të nxënësve më pasionantë dhe më rezultativë në sportin e futbollit./atsh