Kancelarja gjermane, Angela Merkel priti të premten Kryeministrin shqiptar, Edi Rama në Kancelarinë Federale.
“Bisedimet u përqendruan në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe në çështjet e politikës europiane dhe çështjet rajonale”, thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga zyra e Kancelares Merkel.
Më tej zyra e Kancelares shprehet se “Kryeministri shqiptar nuk është vetëm një politikan aktiv, por punon edhe si artist. Ai i dhuroi sot Kancelares gjermane botimin tij më të fundit. Rama, 55 vjeç shërben si Kryeministër i Shqipërisë që nga 10 shtatori 2013 dhe u prit sot nga Kancelarja gjermane Angela Merkel me nderime ushtarake”.
Bisedimet e pranimit në BE
Në fund të shtatorit, Bundestagu do të vendosë nëse Kancelarja Merkel do të mbështesë hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, në samitin e Unionit në mes të tetorit.
Forcimi i demokracisë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri
Gjermania mbështeti pranimin e Shqipërisë në NATO në 2009 dhe mbështet pranimin e shtetit ballkanik në Bashkimin Europian.
Gjatë Konferencës së Ballkanit Perëndimor në Posen, më 5 korrik 2019, Kancelarja gjermane Merkel pranoi se pavarësisht vështirësive politike të vazhdueshme, në të gjithë rajonin ka patur një progres domethënës. Shqipëria ka qenë vendi që ka mbështetur shtetin gjerman në fushën e bashkëpunimit për zhvillimin për shumë vite. Gjermania ka treguar një interes të madh duke kontribuar në kushte të qëndrueshme, demokratike dhe kushtetuese në Shqipëri duke mbështetur procesin e transformimit.
Kryeministri Rama ka vizituar edhe më herët Kancelarinë Federale në prill 2018, për të diskutuar me Kancelaren Merkel, ndër të tjera, nivelin e përafrimit të Shqipërisë në BE.
Gjithashtu gjatë një takimi për Ballkanin Perëndimor në prill 2019 në Kancelarinë Federale u zhvillua një diskutim dypalësh midis dy krerëve të qeverive./atsh