Mbrëmjen e të martës do të luhet sfida mes Islandës dhe Shqipërisë, e vlefshme për raundin e gjashtë të kualifikueseve për Europianin e vitit 2020.
Trajneri Edy Reja gjatë konferencës për shtyp, bashkë me Elseid Hysajn, duke analizuar situatën, ka theksuar se do jetë pikërisht futbollisti i Napolit dhe kapiteni i skuadrës për këtë sfidë. “Kam vendosur të heq Mavraj-n për zgjedhje teknike prandaj do jetë Hysaj kapiten”, tha Reja.
“Kur kam ardhur kam pasur në mendje skemën 3-5-2 dhe po e aplikojmë. Kundër Islandës çeduam pak, ndaj Moldavisë fituam, ndërsa me Francën nuk mund të bësh krahasime, sepse ka lojtarë me nivelin më të lartë, si kampionë botë. Më pëlqen kjo skemë, sepse ekipi mbron, por edhe sulmon. Me 2 sulmues dhe lojtarët e krahëve të mesfushës jemi më prezent në zonën e kundërshtarit. Në Francë kishim gjithmonë 3-4 lojtarë në zonë. Nuk janë vetëm skemat me rëndësi, por edhe ata që e aplikojnë lojën. Edhe mbrojtësit duhet të dalin përpara, të jenë agresivë ndaj mesfushës. Duhet të dini se kur je me 3 në prapavijë, mbrohet gjithmonë me 4, sepse kjo skemë që këtu shkallëzohet”, tha Reja.
“Me Francën bëmë mirë në pjesën e dytë, duke kaluar Roshin përpara dhe Ismajlin, që kalonte në krah. Patëm më shumë ekuilibër, por ndeshja ishte kompromentuar tashmë. 3-5-2 nuk është model loje mbrojtëse, mund të të japë garanci në qendër, por edhe krahët sulmojnë. Hysaj me Moldavinë praktikisht ishte mesfushor krahu. Na munguan golat, por rastet i krijuam”, theksoi Reja.
“Ndeshja me Islandën do të jetë sfida jonë më deçizive, do të tregojë nëse do ta vazhdojmë ëndrrën tonë europiane. Normalisht, në rast se nuk fitojmë, do t’i minimizojmë mundësitë për t’u kualifikaur. Do të luajmë tri ndeshje në shtëpi, ndaj duhet ta shfrytëzojmë faktorin-fushë. Kalendari na favorizon për të bërë më të mirën. Do të japim më të mirën në fushë. Nesër na duhet të japim 200% për të marrë fitoren”, tha Reja.
Ndërkohë Hysaj tha se në kombëtare futbollistët vijnë se duan ngjyrat kuqezi. “I kërkoj tifozëve të jenë më të kujdesshëm dhe dua tu them që të mos fshiheni pas kompjuterit për të kritikuar e sharë lojtarët e kombetarës. Sigurisht që dikush do gabojë, por ne nuk vijmë të luajmë me kombëtaren për lekë, as me detyrim. Vijmë se e duam ekipin tonë dhe mezi presim, për këtë arsye jam i sigurt, që secili nga djemtë jep 100% në fushë”, tha anësori i Napolit gjatë deklaratës për mediat. /atsh