Në 12 shtator të vitit 1998, u vra në Tiranë deputeti Azem Hajdari, ish-udhëheqës i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, që çoi në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e pluralizmit politik.
Në nderim të figurës së tij, nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kuvendi organizoi sot homazhe në varrin e ish- deputetit Azem Hajdari te Varrezat e Dëshmorëve, në Tiranë ku morën pjesë përfaqësues nga të gjitha grupimet parlamentare.
Ka qenë e bija e Azem Hajdarit, deputetja Rudina Hajdari së bashku me deputetë të opozitës parlamentare që kanë vendosur kurora me lule në varrin e Azem Hajdarit.
Në homazhe ishte e pranishme edhe nën/kryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi e cila vendosi një kurorë me lule në varrin e Hajdarit, ndërsa shoqërohej dhe nga shumë deputetë.
Ndërsa Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vendosi kurora me lule te memoriali i Azem Hajdarit.
“Sot ishte një detyrim për ta nisur ditën me nderimin e kujtimit të përjetshëm të veprës së Azem Hajdarit, udhëheqësit të Lëvizjes Studentore, që solli demokracinë dhe pluralizmin politik në Shqipëri. Përulje me mirënjohje e respekt para kontributit të jashtëzakonshëm të Azem Hajdarit, për rivendosjen e Shqipërisë në rrugën e duhur të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut, pluralizmit politik dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kolonat vertebrore të çdo sistemi demokratik që duhen mbrojtur me çdo çmim nga të gjithë”, u shpreh Meta.
Edhe Partia Demokratike do të zhvillojë në orën 10:00 një ceremoni përkujtimore pranë memorialit ndërsa në orën 10:45 do të zhvillohet ceremonia përkujtimore tek varrezat e dëshmorëve.
Azem Hajdari ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike, partia e parë opozitare në vend pas periudhës së diktaturës. Hajdari është nderuar me një sërë medaljesh presidenciale.
Hajdari u vra pak metra larg ish-selisë së PD-së, më 12 shtator 1998, dhe bashkë me të mbeti i vrarë edhe Besnik Çerja, ndërsa u plagos një tjetër truprojë e tij./atsh