Loading...

Hapja e negociatave/ Spiropali: Ne i kemi bërë detyrat, këtë e konfirmon edhe Bundestagu

“Opozita është e mirëpritur për dialog, por Lulzim Basha është në një pozicion të vështirë, ka dalë nga sistemi dhunshëm dhe besoj ka presion për të mos hyrë në sistem”, tha sot zëdhënësja e Qeverisë, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e ftuar në një studio televizive.

Duke folur për tryezën për reformën zgjedhore të iniciuar nga OSBE, Spiropali tha se “ajo tryezë është e domosdoshme për të filluar një proces dialogu për reformën zgjedhore”.

“Me vjen keq që opozita jashtë parlamentare zgjedh të braktisë këtë tryezë dhe ambasadori i OSBE-së zgjodhi të thoshte se ishte i palumtur me situatën. Megjithatë ishte një hap i parë ardhja e tyre në tryezë në nivel teknik me zotin Kaso, por i pakuptueshëm me largimin e tyre”, – tha ajo.

Në lidhje me kthimin në sistem të opozitës, Spiropali theksoi se “besoj që Lulzim Basha është në një pozicion të vështirë për sa i përket pozicionit që ai duhet të ndjekë me reformën zgjedhore dhe me sistemin në tërësi për arsye që kuptohet ka dalë nga sistemi dhunshëm dhe besoj ka presion për të mos hyrë në sistem”.

Për sa i përket reformës zgjedhore, Spiropali tha se “do ta ndajmë në dy pjesë, ashtu siç përcaktohet nga deklarata e CDU/CSU apo partnerëve tanë. E para, ka të bëjë me rekomandimet e ODIHR, dhe ato ndryshime në mund t’i kalojmë me opozitën parlamentare dhe duhet ta bëjmë shpejt, sepse nuk është një reformë e PS-së, por e Shqipërisë. Pjesa e dytë që lidhet me diskutime për sistemin apo ndryshimet e sistemit, patjetër ne kemi nevojë për një tryezë të gjerë”.

Për sa i përket kërkesës së opozitës për largimin e Gjiknurit, Spiropali tha “jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka edhe në nivel individësh, edhe nivel partie, por nuk ishte ky qëllimi i Kasos në tryezën për reformën zgjedhore, por ai artikuloi faktin se ne nuk kemi problem me sistemin, as me rekomandimet e OSBE/ODIHR, ata flasin në nivel politik. Por edhe nëse Gjiknuri do të dorëhiqet, sërish, opozita vendos kushte politike”.

“Jo ne, por shumëkush e kupton që PD nuk e di se çfarë kërkon. Nëse ajo kërkon standarde le të vijë në tryeza. Nuk mund të vish me kushte Gjiknuri ik, Rama ik, qeveria ik, e të vijmë ne. Kjo është një politikë primitive e vendosjes së kushteve”, – tha ajo.

Në vijim, Spiropali shtoi se “ne nuk kemi nevojë për opozitë jashtëparlamentare për të kaluar ligjet për reformën zgjedhore dhe debatin e bëjmë me opozitën parlamentare, po ne zgjodhëm dhe këmbëngulëm që opozita jashtëparlamentare të kishte një vend në tryezë, madje dhe një votë, në mënyrë që të mos përjashtojmë një forcë të madhe”.

Spiropali tha se nuk e përjashtojmë opozitën parlamentare, përtej kërkesës së PD-së për ta përjashtuar nga reforma zgjedhore.

“Kaso, në kërkesën e tij tha se reforma ka të bëjë nga dy aktorë: mazhoranca dhe opozita jashtëparlamentare me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve duke përjashtuar opozitën parlamentare. Por ne s’kemi ndërmend ta përjashtojmë, sepse respektojmë institucionet. Opozita parlamentare është më e vlefshme për parlamentin se opozita që na hidhte bojë dhe çizme e gurë. Kjo opozitë na ka vënë në vështirësi për çështje të vërteta sesa opozita tjetër”, – tha ajo.

Për sa i përket bashkëpunimit për reformën zgjedhore, Spiropali tha se “ne kërkojmë gjithëpërfshirje me të gjithë aktorë opozitë parlamentare dhe jo parlamentare, pra ne duam një reformë më të gjerë zgjedhore”.

Për sa i përket votës së Bundestagut gjerman, Spiropali tha se “shumica parlamentare i ka dhënë qeverisë dhe kancelares Angela Merkel dritën jeshile për të votuar pro çeljes në negociatave të Shqipërisë në BE dhe është një lajm i mirë”.

Për sa i përket kushteve, Spiropali dhe se kushte ka me qindra që ne do t’i presim pas hapjes së negociatave, por janë dy çështje të rëndësishme dhe e para është Reforma në Drejtësi.

“Ai dokument i CDU/CSU, thekson mbështetjen për rrjedhën që ka marrë reforma në drejtësi dhe kërkon thellimin e reformës në drejtësi. Kërkon hetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë dalë nga sistemi për shkak të Vetingut, vënien në punë të SPAK, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese. Ne i kemi bërë të gjitha hapat legjislativ si dhe mbështetjen financiare që këto institucione të funksionojnë. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë në tetor do të përmbyllet faza e përzgjedhjeve të kandidatëve. SPAK, po ashtu”, – tha Spiropali.

Për sa i përket peshqve të mëdhenj, Spiropali tha se procesi i drejtësisë varet shumë nga monitorimi që i bëjnë ndërkombëtarët, sepse ne e kemi futur në kushtetutë OMN dhe nuk është çështje që e shtyn para qeveria, por në momentin që krijohet SPAK, BKH, Gjykata Kushtetuese, do ngrihen brenda afateve të pritshme dhe do kemi dhe rezultate.

“Ne kemi besim se ngritja e SPAK dhe BKH që është kërkesë specifike edhe në dokumentet e CDU/CSU, po bëhet sipas afateve dhe po ngrihet pas një pastrimit tërësor të sistemit të drejtësisë nga Vetingu. Këto kërkesa nuk janë se bëhen përpara, por në momentin që ulet në tryezë për të çelur negociatat. Ne besojmë se në tetor do të çelen negociatat e Shqipërisë me BE. Nga Gjermania na është dhënë drita jeshile. Gjermania ka qenë absolutisht mbështetëse, patjetër tashmë me mbështetjen e plotë të Kancelares ne do kemi një ‘Po’. Ne i kemi bërë detyrat, këtë e ka konfirmuar Komisioni dhe Bundestagu”, – tha ajo. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com