Loading...

Hapen 74 vende pune në Agjencinë e Kadastrës, Lame: Jo ndërhyrje, vlerësoj vetëm profesionistët

Artan Lame, Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, gjatë një deklarate për media ka njoftuar një reformë thellë në administratë për rritjen e profesionalizmit.

Ai ka njoftuar se janë hapur 74 vende pune për inxhinierë e arkitektë…etj, ndërsa ftoi të gjithë të rinjtë e të rejat që duan të aplikojnë, të besojnë se profesionalizmi i tyre do vlerësohet.

“Kadastra ka përmbyllur fazën e parë të riorganizimit, duke prodhuar një strukturë të ri dhe efikase. Ky riorganizim ka sjell një uljen drastike të numrit të ankesave, nga rreth 1000 e disa ankesa të gjetura përpara se të ngrihej kjo agjenci, në vetëm rreth 200 të tilla”, tha Lame.

“Mbyllja e këtij procesi të riorganizimit, hap dyert për procesin e radhës. Sfidat kryesore e Kadastrës sot janë dy, rishikimi i hartografisë në të gjithë vendin dhe ngritja e nivelit profesional”, tha ai.

Sot, shtoi Lame, kemi 400 jurist të të gjitha shkollimeve, nga ato jashtë vendit dhe ato brenda vendit dhe si rezultat kemi qindra gjyqe e halle për trualli në të gjithë vendin”.

“Nuk po i hy analizës se si është arritur te ky deformim profesional në 20 vitet e fundit, por reforma për profesionalizmin do të vijoj. Thithja e inxhinierëve është nevojshme dhe do hapet gara për punësimin e 74 specialistëve në strukturën e Kadastrës. Kërkesat janë për Arkitekturë, Gjeodezi, Inxhinierë, të cilët nuk do kenë kontratë të përkohshme, por do të jenë punonjës në strukturë të Agjencisë”, tha Lame më tej.

“Këto 74 vende ndahen në të gjithë Republikën e Shqipërisë, ku Vlora dhe Tirana mbajnë numrin më të lartë. Djemve dhe vajzave që kanë vullnet për punë të kenë besim te unë dhe të aplikojnë për punë pasi do vlerësohet profesionalizmi i tyre. I bëjë thirrje të gjithë familjarëve të mi, ministrave, deputetëve dhe të gjithë zyrtarëve të mos vijnë te unë për punë, pasi unë kërkoj profesionist dhe do vlerësoj vetëm profesionistët”, tha Lame më tej.

“Në Kadastër ka me qindra profesionistë kokëulur, ka me dhjetra shefa e drejtorë që janë bërë të tillë pa futur mik, por thjesht me forcat, krahët dhe mendjen e tyre. Të gjithë kërkojmë të zgjidhim nyje e pronës dhe nyja e pronës zgjidhet vetëm me profesionalizëm; dhe pastaj, të njëjtët njerëz që ankohen për çfarë kanë hequr, më kërkojnë me aman e me derman të fus në punë njërin a tjetrin jashtë profilit. O më thoni të bëj Kadastrën, o më thoni të bëj qokat e miqtë, të dyja nuk bëhen dot! Së bashku po e nisim edhe këtë reformë dhe vetëm së bashku mund ta çojmë atë përpara”, deklaroi Lame./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com