Gjykata e Janinës e shpalli të pafajshëm Agim Kajmakun, alias Jorgo Toto. Gjykatësja Kristina Andoniun pranoi se i akuzuari nuk mund të fabrikonte paratë për të cilat Kajmaku u akuzua më 13 janar të vitit 2003. Këtë akuzë përdori edhe Partia Demokratike kundër tij.
Top Channel publikon vendimin e Gjykatës që shpall të pafajshëm kryetarin e bashkisë së Vorës, Agim kajmaku. Vendimi i pafajësisë është dhënë nga Gjykata e Janinës. Kajmaku, me emrin Jorgo Toto akuzohej për veprën penale të falsifikimit të parave. Në procesin e zhvilluar në Janinë në datën 12 shtator 2019, i akuzuari Jorgo Toto, ose Agim Kajmaku është përfaqësuar prej avokatit të tij dhe pasi është shqyrtuar dosja, gjykata ka vendosur unanimisht se Jorgo Toto nuk ka asnjë përgjegjësi për ngjarjen e 13 janarit 2003 duke e shpallur atë të pafajshëm. Gjykatësja Kristina Andoniu pranoi se i akuzuari nuk mund të fabrikonte paratë e përdorura gjatë transaksionit dhe mundësitë e tij për të kryer këtë gjë ishin zero.
Edhe prokuroria pranoi se i akuzuari Jorgo Toto në asnjë rrethanë nuk kishte mundësi të fabrikonte por edhe të përdorte monedhat false pasi nuk ishte ne dijeni se transaksioni do të bëhej me para në dorë dhe jo nëpërmjet bankës siç kishte ndodhur në raste të ngjashme mes të akuzuarit dhe furnitorëve të tij.
Prokuroi pranoi edhe dëshminë e viktimës, i cili pavarësisht se denoncoi Toton, tha se nuk besonte se ai i ka dhënë me qëllim para të falsifikuara por edhe vete Toto ka rënë pre e mashtrimit.
Ndërsa avokati i Jorgo Totos, (Agim Kajmakut) sqaroi se për shkak të njohjes jo të mirë të gjuhës greke, kuptoi se procesi ndaj tij kishte mbaruar me lirimin e tij me janar të 2003 ndaj dhe nuk kishte informacion se duhet të paraqitej sërish në procesin ndaj tij pak muaj më vonë.
Lidhur me këtë vendim, reagoi sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi duke theksuar se gjykata greke konfirmoi të gjithë denoncimet e PD se Agim Kajmaku ishte në kërkim nga drejtësia greke, pasi është arrestuar në Janar 2003 me emrin Jorgo Toto dhe ai e kishte fshehur këtë fakt në formularin e Dekriminalizimit
“Megjithëse i dha kohë të sigurojë që nuk futet në burg në Greqi duke mbyllur çështjen atje, Agim Kajmaku ka punë me ligjin shqiptar. Vendimi konfirmon se Agim Kajmaku alias Jorgo Toto ka qenë me proces penal të hapur në Greqi dhe me urdhër arresti në fuqi, ashtu sikurse Partia Demokratike denoncoi”, shprehet Bardhi.
Ai tha se “Agim Kajmaku ka fshehur arrestimin në Greqi me emrin Jorgo Toto. Për këtë duhet të shkarkohet nga detyra dhe t’i vihen menjëherë prangat për shkeljen flagrante të ligjit të Dekriminalizimit dhe mashtrimin e qytetarëve shqiptarë”./atsh