Loading...

Filmohet flutura 12 000 vjeçare

Pas afro 50 vitesh sërish është filmuar lloji i fluturës “Kuzeyli Nazugum”, që për herë të parë u regjistrua në Turqi në vitin 1970 në lartësinë prej rreth 4 000 metrash në malin Ararat.

E njohur ndryshe me emrin latin (Euphydryas iduna), flutura “Kuzeyli Nazugum”, që me vizat anësore të trasha dhe pikat e bardha i magjeps të gjithë ata që e shikojnë, ndodhet në kategorinë e gjallesave në botë që mund të përfshihen nga rreziku i zhdukjes.

Flutura e cila jeton kryesisht në vendet skandinave dhe e cila mendohet se në Turqi gjendet vetëm në shpatet e larta të malit Ararat, vazhdon të jetojë që nga periudha e akullnajave e deri në ditët e sotme.

Ajo është regjistruar nga studiuesit në Turqi më 4 gusht 1970 në lartësinë prej rreth 4 000 metra në malin Ararat dhe që nga ajo ditë nuk kishte asnjë informacion rreth saj.

Flutura “Kuzeyli Nazugum” pas 50 vitesh është filmuar sërish nga mbrojtësi i natyrës dhe studiuesi i fluturave Suleyman Eksioglu dhe nga eksperti për faunën e egër, Emin Yogurtcuoglu./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com