Raporti mbi Situatën e Mirëqenies së Fëmijëve në Shqipëri nga World Vision tregoi se, gjatë vitit të fundit 70% e fëmijëve të moshës 8 deri në 18 vjeç kanë përjetuar një formë dhune.
Në ditën e dytë të Festivalit të Rinisë, në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse, të rinjtë do të sjellin për diskutim problemin e dhunës tek fëmijët; mungesën e shërbimeve që mbështesin fëmijët e dhunuar, por nga ana tjetër edhe arsyet kryesore të mosraportimit të dhunës.
46% e fëmijëve janë indiferentë dhe nuk duan të përfshihen në raportimin e rasteve të dhunës dhe 34% e tyre nuk e raportojnë për shkak të mungesës së besimit që institucionet do ta zgjidhin situatën.
Dhuna është një prej faktorëve kryesorë që pengon zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve si dhe cenon arritjen e rezultateve në ndërhyrjet socio-ekonomike, që çojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës në Shqipëri.
“World Vision Albania prej më shumë se 10 vitesh punon ngushtë me fëmijët, komunitetet
dhe institucionet shtetërore për identifikimin, raportimin dhe menaxhimin e rasteve të fëmijëve të dhunuar. Përkushtimi i institucioneve shtetërore, donatorëve, korporatave, organizatave të shoqërisë civile në ofrimin e shërbimeve të integruara vazhdon të jetë thelbësor për eliminimin e dhunës ndaj fëmijëve në Shqipëri. Në mbështetje të nevojës për shërbime, World Vision hartoi standardet dhe po piloton në bashkitë Durrës dhe Dibër Shërbimin e Emergjencës për Fëmijët në rrezik të lartë”, – shprehet Artina Morava, drejtoresha e programit të World Vision për Shqipërinë dhe Kosovën. /atsh