“Vendimmarrja gjermane është domethënëse në Europë, njëkohësisht është dhe një premisë, që edhe Franca edhe Holanda do t’i rrinë në krah kësaj premise të hapur tashmë për një përgjigje pozitive për Shqipërinë”, tha sot ish-ministrja e Mbrojtjes, njëherësh kryetarja e Komisionit të Jashtëm Parlamentar, Mimi Kodheli e ftuar në një emision televiziv.
Duke folur për vizitën e kryeministrit në Gjermani, Kodheli tha se “Ky është një lajm i mirë. vizita e kryeministri Edi Rama në Gjermani ishte e suksesshme dhe mbështetja e një mikeje të madhe të vërtetë siç është kancelarja Angela Merkel, do të jetë një mbështetje reale, diçka që ajo ka ditur ta japë dhe ta bëjë këtë mbështetje dhe ta tregojë këtë gjë dhe vitet e mëparshme”, tha ajo.
Kodheli shtoi se qëndrimi i kancelares Merkel ka qenë konsistent, pozitiv dhe mbështetës në raport me Shqipërinë dhe rajonin në tërësi.
“Kushtëzimet do ta ndihmojnë procesin, kushtëzimet nuk janë pengesë. Përkundrazi, kushtëzimet thjeshtësojnë procesin siç janë ngeciet tona, siç mund të jetë ulja e palëve politike dhe bërja e reformës zgjedhore, vazhdimi i reformës së thellë në drejtësi”, tha ajo
Në lidhje me qëndrimin e BE-së për zgjerimin, Kodheli shtoi se vendet e BE-së kanë qenë skeptike për zgjerim nga mungesa e thellimit të reformave në Bullgari, Rumani. Janë totalisht të pakënaqur nga thellimi i reformave edhe për disa vende që kanë hyrë më parë në BE. “Ato bënë disa detyra shtëpie me nxitim siç duhet dhe pastaj mbetën, sepse ideja se ishin futur brenda nuk ka më nevojë për reforma. Pra, kushtëzimi për ne dhe duhet të jetë në ndihmë të procesit, por sigurisht hapja e negociatave është një fitore politike e Shqipërisë dhe e shqiptarëve”, -tha ajo.
Kodheli theksoi se SHBA, partner strategjik janë më prezent se kurrë në Shqipëri, amerikanët janë më prezent se kurrë në Shqipëri dhe nuk janë larguar asnjëherë.
Në lidhje me rolin e ri të zv.ndihmëssekretarit të Shtetit dhe njëherazi përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer, Kodheli shprehet se nuk ka pasur largim apo afrim të amerikanëve, pasi amerikanët kanë qenë më aktivët.
“Le te shikojmë ambasadorin e fundit në Shqipëri se çfarë protagonizmi pati dhe çfarë rëndësie pati puna dhe bashkëpunimi i tij me ambasadoren e BE-së në miratim dhe zbatimin e reformës në drejtësi. Pra se më prezent se kaq nuk ka. Nuk po flas këtu për sa i përket bashkëpunimit në fushën e sigurisë sepse në mënyrë absolute është në të njëjtin nivel dhe nuk ka munguar asnjëherë as si mbështetje dhe as si partneritet, por caktimi i Palmer, padyshim që i jep një shtytje tjetër, ka një hap cilësor lidhur me vëmendjen tashmë të SHBA-së drejtuar rreth Ballkanit”, tha ajo.
Në vijim të argumentit të saj Kodheli shtoi se “Sigurisht me ndryshimet e administratës nga Obama te Trump ka ndryshim dhe të disa politikave dhe gjeopolitikave. Ballkanit i vjen radha pak më vonë se SHBA-Kinë apo SHBA-BE, por nga ana tjetër një sy është mbajtur gjithmonë në këtë rajon, sepse ndikimi i tyre dhe në dakordësimi i emrit të Maqedonisë së Veriut ishte i padiskutueshëm. Zgjerimi NATO-s me Maqedoninë, zgjerimi i NATO-s me Malin e Zi, do të thotë që ata janë gjithmonë aty. Ulja në bisedime Kosovë Shqipëri. Megjithatë kjo tregon se ata do ta kishin dashur dhe janë duke luftuar fort në drejtim të negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Por kjo nuk mjafton, sepse ne kemi Kosovë-Serbi për të diskutuar, kemi thellimin e reformave të sistemit gjyqësor apo në tërësi për reformën në drejtësi, pra shumëçka për të cilat ata janë investuar më shumë sesa do ishte investuar një përfaqësues i lartë ambasador i një vendi tjetër. ”.
Gjithashtu Kodheli tha se “SHBA ka politika të qarta ata dinë qartësisht se si duhet zhvilluar një demokraci reale e vërtet dhe ku duhet shkuar, duke qenë partneri ynë strategjik më i madh dhe duke qenë se investimi që ata kanë bërë në këtë zonë që nga çlirimi i Kosovës, nuk mund dot as të dështojnë dhe sa të zhgënjehen nga puna që kanë derdhur”.
“Ndaj unë besoj fort se prezenca e ambasadorit Palmer dhe rikthimi i përfaqësimit me një ambasadori të ri në ambasadën e SHBA, do të ndihmojë këtë proces, ashtu siç shpresoj shumë dhe besoj fort që do të ndihmojë në zgjidhjen e problemit Kosovë Serbi”, tha ajo./atsh