Loading...

Cakaj në Nju-Jork, pjesë e mbledhjes së nivelit të lartë për zbatimin e strategjisë së OKB-së kundër terrorizmit

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj mori pjesë në kuadër të takimeve në Nju Jork, edhe në mbledhjen e nivelit të lartë të organizuar nga Jordania, Franca dhe Zelanda e Re për të diskutuar mbi përpjekjet ndërkombëtare për vënien në zbatim të Strategjisë Globale të OKB-së Kundër Terrorizmit dhe për të shqyrtuar të arriturat e nismave franceze dhe jordaneze mbi përdorimin e platformave te internetit për motive të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

“Pavarësisht fitores ushtarake dhe territoriale mbi ISIL, një sfidë tjetër mbetet angazhimi i përbashkët për të zhbërë hapësirën e mundshme të narrativave që nxisin veprimet ekstremiste dhe të dhunshme. Kjo kërkon një bashkërendim më të gjerë përpjekjesh të kompanive teknologjike, shoqërisë civile, bashkësive fetare e qeverive të vendeve përkatëse, mes tjerash”, tha Cakaj për këtë takim.

“Shqipëria ka qenë historikisht një vend shembull i harmonisë ndër-fetare dhe ka prirë në shumë angazhime luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm nëpërmes mekanizmave të saj të sigurisë. Për më shumë, Shqipëria dallohet në rajon e më gjerë edhe për zhvillimin e kurikulave të veçanta shkollore që kanë për qëllim zhbërjen e interpretimeve të shtrembëruara të doktrinave të ndryshme fetare. Së këndejmi, angazhimi i Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është në përputhje me sfidat bashkëkohore dhe në bashkërendim të plotë me partnerët ndërkombëtarë”, theksoi Cakaj. /atsh