Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i ftuar në një studio televizive, foli mbrëmjen e sotme për incidentin e ndodhur në Porto Palermo në muajin gusht ku Mihal Kokëdhima dhunoi familjen e turistëve spanjollë që kishte ardhur në restorantin e tij për të konsumuar një drekë.
Duke folur për këtë ngjarje dhe takimin që zhvilloi me familjen spanjolle, Klosi tha se “ata ishin të shokuar nga ngjarja, familja ishte e shqetësuar. Djali ishte akoma me atë bluzën e grisur, kryefamiljari ishte i çarë në buzë, pastaj situata mori ndryshe. Video është e tillë, ata ndaluan në atë lokal nga dita e bukur, nga mikpritja e njerëzve. Të vetmin justifikim që i vinin ngjarjes është se zotëria nuk ishte në terezi. Ata nuk kishin konsumuar asnjë gotë ujë në atë lokal”, tha Klosi.
Ministri solli në vëmendje edhe reagimin e turistit spanjoll i cili është shprehur se : “Unë tashmë jam një ambasador i Shqipërisë”, për mënyrën se si të gjithë reaguan lidhur me ngjarjen.
Klosi shtoi se pas publikimit të kësaj ngjarje duhej që shteti të reagonte, jo të shpresonte të mos publikohej video. “Unë nuk e dija se cfarë familje ishte, as se kush ishte ai zotëria”, tha ministri.
Përsa i përket restorantit të Mihal Kokëdhimës i cili u shëmb nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, ministri tha se “ishte një ndërtim pa leje, ka qenë në proces legalizimi po ai ndërtim nuk do legalizohej. Edhe pse ka qenë djali i xhaxhait të ish-deputetit socialist nuk është legalizuar pasi ajo zonë është e një rëndësie të veçantë”.
Ministri deklaroi se deri në muajin shtator, Shqipëria u vizitua nga 6.7 milionë turistë. “Nëse kemi një arsye që kemi 6.7 milionë turistë këtë vit deri në këto momente qe po flasim, nëse kemi pasur 1.5 milionë turistë vetëm në muajin gusht, natyrisht është edhe oferta që ne kemi përsa i përket turistit të huaj”, tha Klosi.
Më tej, Klosi tha se rritja e numrit të turistëve në Shqipëri me pothuaj 1.6 milionë të huaj, nxjerrin problemet më në pah. “Por të gjitha problemet po vihen në rrugën e zgjidhjes. Kontrolli mbi bregdetin nuk ka qënë më përpara dhe as nuk bëhej fjalë që të diskutohej për t’u kontrolluar. Vendimi i qeverisë për kontrollet e plazheve, plazhet publike, stacioneve të plazhit, nuk kanë qënë dhe kjo ka ardhur nga ajo që pamë vjet. Kemi licencuar rreth 300 guida”, tha Klosi, duke shtuar se Shqipëria krahasohet me vende si Greqia, Kroacia, Italia Mali i Zi dhe Turqia që kanë 50 vjet që bëjnë turizëm, ndërsa ne deri para 5 vitesh e kishim detin të bllokuar, nuk kishte mjete lundruese”.
Përsa i përket sigurisë në plazhe, Klosi deklaroi se “ sivjet kanë humbur jetën më pak se 11 persona si pasojë e masave të marrë që nga vendosja e sistemit të rojeve në plazhe dhe menaxhimit të plazhit”.atsh