Në gjithë vendin janë rreth 225 mijë nxënës që i kanë marrë librat falas, ndërkohë që ky numër do të rritet në vitet në vijim.
Nga shkolla e rikonstruktuar “Servete Maçi” në Tiranë, Kryeministri Edi Rama tha se ‘këtë vit kanë përfituar tekste falas nxënësit e klasave nga e para te e pesta, të gjithë pa përjashtim, si dhe të gjithë ata që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike, apo nevoja të veçanta”.
Vitin e ardhshëm, Rama tha se “do të përfshihen në këtë skemë edhe nxënësit e klasës së 6-të apo të 7-të, ndërsa në vitin 2021 do të përfitohen libra falas deri në klasën e 9-të”.
Rama iu përgjigj edhe ankesës së disa prindërve apo spektatorëve të këtyre proceseve lidhur me nevojën për t’i ruajtur librat dhe për t’i përcjellë te të tjerët.
“Nuk është një çështje thjesht materiale, është një çështje edukimi me një dashuri dhe respekt të veçantë për librin. Që të vegjël jemi mësuar që libri është miku më i mirë dhe si i tillë duhet trajtuar me respektin dhe kujdesin maksimal. Vende shumë më të zhvilluara se ne si Suedia, Franca apo Kanadaja nuk do të kishin këtë praktikë të kushtëzuar, që nëse do të marrësh libra falas vitin e ardhshëm duhet që librat t’i kalosh të mirëmbajtur te ata që vijnë pas”, tha Rama.
Rama tha se edhe rezultati i këtij viti ka qenë shumë më pozitiv se e kishim parashikuar dhe librat e kthyer janë shumë më tepër se sa ne mendonim.
Duke u ndalur te cilësia në arsim, Rama tha se “çdo vit janë një numër nxënësish që mbarojnë shkollën e mesme dhe i çojmë në Universitetin e Teknologjisë në Stamboll, ku kemi një marrëveshje që gjithçka mbulohet nga universiteti”.
“Çdo vit zgjedhim 10-15 nxënës pa ditur se kush janë e nga vijnë, por thjesht vetëm nga rezultatet. Në sezonin që mbaroi, studenti më i mirë që u celebrua nga gjithë universiteti ishte një vajzë shqiptare. Shumica e atyre nxënësve që ne i zgjedhim thjesht dhe vetëm duke u nisur nga pasqyra e rezultateve, vijnë nga familje të varfra, disa prej tyre me ndihmë ekonomike”, tha Rama. /atsh