“Kjo është thirrja e dytë që po zhvillojmë për vitin 2019 pasi të parën e kishim në fillim të këtij viti. Thirrja e dytë është hapur në 3 shtator dhe gjatë gjithë muajit kushdo që është i interesuar mund të aplikojë në platformën “punëtëmbarë.al”. Risia e thirrjes së dytë është se tashmë në platformë, mund të aplikojnë edhe studentë që kanë përfunduar studimet që nga viti 2015 dhe që plotësojnë kriterin kryesor, mesatare të studimeve nga 9 deri në 10″, u shpreh gjatë një interviste në studion e ERTV, Drejtorja e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu.
“Deri tani janë rreth 420 aplikime dhe thirrja do të jetë e hapur deri në 20 shtator. Vendet vakante janë 219. Thirrja do të hapet sërish edhe gjatë 2020. Administrata ka nevojë për juristë dhe ekonomistë, por edhe shkenca si inxhinieria, janë me interes. Kryesisht vendet e punës të lira janë në sistemet qendrore të ministrive të linjës, apo institucione si administrata doganore dhe tatimore, agjencia e menaxhimit të burimeve ujore ka hapur 18 vende pune”, tha Koçiu.
Drejtorja e DAP shtoi se në këtë thirrje të dytë, me pikë shtesë do të vlerësohen kandidatët që veç diplomës dhe listës së notave do të paraqesin edhe dokumentet që vërtetojnë përfshirjen e tyre në aktivitete ekstrakurrikulare apo skema vullnetarizmi gjatë kohës së studimeve.
“Në platformë duhet ngarkuar diploma, lista e notave me mesatare dhe tashmë përfshihen edhe aktivitetet ekstrakurrikulare, aktiviteti që studentët kryejnë në kohën kur janë në kërkim pune, pjesëmarrja në seminare, etj. Këto skema favorizojnë për të marrë më shumë pikë. Një element që shton pikë në renditje është edhe vullnetarizmi, kush është përfshirë në skema vullnetarizmi gjatë periudhës së studimeve ka më shumë shanse për t’u përzgjedhur. Masteri shkencor gjithashtu ka më shumë pikë dhe avantazh”, përfundoi Koçiu. /atsh