Loading...

Vlora destinacion për turistët nga Italia, rekord hyrjesh në port

Gjatë muajit gusht, në portin e Vlorës është regjistruar një numër rekord hyrjesh të udhëtarëve që mbërrijnë me tragetet që përshkojnë linjën detare Brindisi-Vlorë e kthim.

Në periudhën 1-18 gusht, në pikën kufitare të këtij porti kanë hyrë mesatarisht çdo ditë, më shumë se 1000 persona, çka përbën një shifër të paregjistruar në të paktën 20 vitet e fundit.

Gjatë sezoneve verore paraardhëse, fluksi i ardhjeve me tragete nga Italia arrinte pikun në periudhën 15 korrik deri në ditët e para të gushtit, ndërkohë që, më pas, ai shfaqej në kahun e kundërt, ndërkohë që emigrantët ktheheshin në itinerarin Vlorë-Brindisi, për të udhëtuar drejt vendit fqinj, apo shtete të tjera, ku jetojnë e punojnë.

Drejtori i Portit të Vlorës, Adi Malaj, tha për ATSH-në se, prezenca e fluksit të lartë të hyrjeve në pikën kufitare të portit të Vlorës gjatë muajit gusht, lidhet me strukturën e udhëtarëve, të cilët janë në më shumë se 90%, turistë italianë, që kanë zgjedhur të kalojnë pushimet verore në bregdetin tonë.

Kjo u pasqyrua edhe në treguesit e një dite më parë, kur me dy tragetet e linjës detare Brindisi-Vlorë, mbërritën më shumë se 800 turistë, kryesisht qytetarë italianë, të cilët do të qëndrojnë për pushime në Vlorë për periudha të ndryshme kohore, që shkojnë në më shumë se një javë.

Sipas Malajt, pritshmëritë janë që fluksi të vazhdojë edhe për ditët në vijim, kur, porti i Vlorës do të vijojë të jetë një nga pikat hyrëse të turistëve të huaj që vijnë për pushime në vendin tonë.

Kjo reflektohet edhe në mjediset e plazheve në bregdetin e gjirit të Vlorës apo më në jug, kur, turistët nga vendi fqinj janë të shumtë dhe prania e tyre është e dukshme.

Kjo ndodh edhe në mjedise të tjera publike, përgjatë Lungomares, apo në lokalet e shumta përgjatë saj, ku italishtja është një nga gjuhët që dëgjohet më shumë.

“Ka shumë bashkëqytetarë të mi, që kanë ardhur këtë vit në Vlorë për të pushuar”, më thoshte dy ditë më parë, Mimo, një 48-vjeçar nga Napoli, që ka mbërritur këtu në fillimjavën e shkuar, së bashku me bashkëshorten dhe vajzën.

Mjaft turistë nga vendi fqinj, janë bërë pjesë e auditorit për aktivitetet e shumta që po zhvillohen gjatë këtyre ditëve në Vlorë, mes të cilave edhe ato që organizohen nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë, apo Bashkia.

Bregdeti i bukur, çmimet e arsyeshme, infrastruktura e përmirësuar dukshëm dhe hapësira atraktive të tilla, si Lungomare me lokalet e shumta, apo bulevardi i rikonceptuar së fundi, Vlorë-Skelë, përbëjnë disa nga faktorët dhe pikat e forta për treguesit e lartë të këtij sezoni veror, të turistëve të huaj nga Italia, krahas atyre nga vende të tjera.

Për të përballuar këta tregues numerikë në rritje të turistëve të huaj, krahas atyre nga qytete të ndryshme të vendit dhe për të krijuar atmosferë të kënaqshme pushimi, Bashkia dhe strukturat e tjera, po zbatojnë një program të posaçëm masash që janë orientuar në garantimin e standardeve të nevojshme të sigurisë, pastërtisë e qetësisë.

Ndërkohë, në pikën kufitare të portit të Vlorës, është intensifikuar puna dhe është shtuar personeli i nevojshëm për të përballuar fluksin e përpunimit të trageteve.

Aktualisht, funksionojnë 9 sportele, nga të cilat 6 për pasagjerë dhe 3 për automjetet, gjë që garanton standarde të kënaqshme kohore për procedurat e kontrollit dhe parandalon radhët. //atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com