Loading...

Vijon transformimi në Belsh, nga një gropë e zymtë në destinacion të ri turistik

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “po vijon puna për transformimin rrënjësor të Belshit nga një gropë e zymtë, në mes të një mrekullie natyrore të harruar, ku komuniteti jetonte në izolim e braktisje të plotë, në një destinacion të ri turistik”.

Rama tha se tashmë në Belsh “jo vetëm rriten vizitat e çdo fundjave nga Tirana e gjetkë, por kanë nisur flukset e turistëve të huaj dhe përshtatjet e shtëpive, deri dje krejt të vetmuara, në bujtina të vogla e plot shije”.

Me një pamje të veçantë, florë dhe faunë të larmishme, liqeni i Belshit është një nga më të mëdhenjtë prej atyre të Dumresë me sipërfaqe rreth 26,8 hektarësh.

Edhe pse në përfundim të punimeve, liqeni i Belshit po kthehet në një destinacion turistik jo vetëm për banorët e zonës, por për qytetarët nga i gjithë vendi.

Pjesë e një projekti modern, i cili po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me financimin e qeverisë shqiptare synon ta transformojë në një zonë në shërbim të komunitetit.

Punimet parashikojnë: rikonstruksionin e rrugës hyrëse të qytetit; që përfshin ndërtimin e trotuareve, instalimin e sistemit të ndriçimit, gjelbërim dhe sinjalistikën rrugore, ndërtimi i pedonales dhe korsisë së biçikletave buzë liqenit, ndërtimi i vendeve të parkimit, hapësira rekreative.

Qyteza buzë liqenit mirëpret vizitorë duke kombinuar natyrën e rrallë, me kulinari karakteristike dhe bio të zonës, si dhe shëtitjet pranë pedonales./

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com