Loading...

Veliera nga Katari, qytetarë e turistë në bordin e anijes historike

Një pritje dinjitoze iu rezervua ardhjes së Velierës nga Katari në brigjet e Sarandës, e konsideruar një muze në miniaturë mbi trashëgiminë e detarisë.

Në ceremoninë e pritjes ndodheshin qytetarë të Sarandës dhe autoritete të larta. Ata u pritën nga qytetari i parë i Sarandës, Kryetari i bashkisë, Adrian Gurma, nga deputeti i qarkut të Vlorës, Alket Hyseni, nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, nga ambasadori i Katarit në Republikën e Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, Ali Bin Hamad Al-Marri, nga drejtoresha e portit të Sarandës, Kozeta Statha e autoritete portuale.

Në tapetin e kuq, të shtruar për nder të ardhjes së Velierës historike nga Katari, duke mbajtur në duar banerin ku shkruhej në gjuhën angleze “U pafshim më 2022”, që mbante ekuipazhi i sapozbritur nga anija, u bënë foto mes tyre dhe autoriteteve të larta.

Përveç përshëndetjeve zyrtare, ekuipazhi i anijes dhe publiku i pranishëm, u përshëndetën me një buqetë këngësh, vallesh dhe melodish, nga interpretues të vegjël të Qendrës Kulturore të Fëmijëve. Pas kësaj, autoritetet dhe publiku bënë vizita në anije, e cila është një muze në miniature.

Në kuvertën e anijes, Kapiteni i saj, Mohamed Yousef Al-Sada, i mirëseardhi autoritetet e larta, i falënderoi për pritjen dhe u dhuroi si suvenir Velierën “Fateh Al Khair 4”, të punuar në dru.

Nga ana e vet edhe zoti Gurma i dhuroi disa suvenire kapitenit Mohamed Yousef Al-Sada, në emrin e vet personal dhe të insitucionit të bashkisë.

Për gazetarët që shoqërojnë udhëtimin e Velierës “Fateh Al Khair 4”, Kryebashkiaku Adrian Gurma dha një intervistë, gjatë së cilës vlerësoi ardhjen e kësaj anijeje si një mundësi të artë për promovimin e Sarandës.

“Saranda dhe unë, u shpreh nder te tjera Kryebashkiaku Gurma,- duhet ta ndjejmë veten me fat, për faktin që jemi shqiptarët e parë që presim ardhjen e kësaj veliere sot. Ne, shqiptarët jemi ndoshta populli më sportdashës i futbollit. Ne jemi plot shpresë që fati do të na dojë duke e bërë Kombëtaren tonë pjesë të kampionatit Botëror të Futbollit, që e ka emrin “Katar 2022”, tha për mediat e Katarit kreu i bashkisë së Sarandës, Gurma.

Anija do të vazhdojë të jetë e hapur per t’u vizituar nga publiku sarandiotë edhe gjatë ditës së sotme, prej ores 16:00 deri në orët e vona të mbrëmjes./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com