Loading...

Titulli i lartë “Për Merita të Veçanta Civile” familjeve Petrela dhe Topulli

Presidenti i Republikës, Meta vlerësoi sot, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Forcë, me titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile” vëllezërit Bujar, Ylber, Halit dhe Seit Petrela, si dhe Shqipjon Topullin (pas vdekjes).

Në një ceremoni të veçantë të organizuar në institucionin e kreut të shtetit, ku merrnin pjesë kryetarja e Autoritetit për Informimin e Dosjeve të Sigurimit, Gentjana Sula, kryetari i Shoqatës Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë, Nebil Çika, ish-të persekutuar e përfaqësues të familjeve, Petrela e Topulli, u dorëzuan titujt.

Në fjalën e tij, Meta tha se është gjithmonë e dhimbshme kur kujtojmë historitë dhe ngjarjet që bota jonë ka kaluar, jo vetëm gjatë luftërave, por edhe gjatë kohës së regjimeve totalitare.

Meta shtoi se Kujtimi i së kaluarës, sado e hidhur qoftë ajo, është detyrë e secilit prej nesh.

“Kjo për faktin se kemi detyrimin t’i kujtojmë dhe respektojmë të gjitha viktimat dhe të zhdukurit e regjimeve totalitare, dhe po ashtu, për të mos lejuar që ato të përsëriten, dhe të ndodhë ajo që, siç e ka thënë filozofi Edmund Burke: “Ata që nuk e njohin historinë, janë të dënuar ta përsërisin atë”, shtoi ai.

Po ashtu, Meta tha se Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve me Forcë ne nderojmë djemtë e një familjeje që kanë kaluar kalvarin e tmerrshëm të vdekjes dhe varrosjes së prindërve të tyre, nga regjimi komunist, në fshehtësi dhe pa asnjë shenjë identifikimi.

“Historia e djemve të familjes Petrela: Bujarit, Ylberit, Halilit dhe Seitit mbart tragjedinë e qindra familjeve të deklaruara armike të popullit nga regjimi komunist: burgosje, internim, vdekje, varre pa emër e pa vendndodhje, familje të ndara që nuk dinin fatin e të afërmve të tyre. Është e dhimbshme të mendosh 4 fëmijë të vegjël nga 1 deri në 11 vjeç, siç kanë qenë vëllezërit Petrela, të gjendur jetim dhe të internuar në kampin famëkeq të Tepelenës. Fatkeqësisht, prindërit e tyre, Fadil dhe Xhuma vdiqën rrugës për në kampin e Tepelenës në aksident automobilistik, duke u varrosur pa një varr e pa një emër mbi të. Ndërkohë që halla e tyre 24-vjeçare u traumatizua nga tragjedia, dhe gjyshja e tyre u dëmtua rëndë në shtyllën kurrizore”, tha ai.

Në vijim, Meta tha se kalvari i tyre ka qenë i gjatë edhe pas kthimit në kryeqytet, ku me damkën e “armiqve të popullit” nuk mund të qëndronin në shtëpinë e tyre, por u duhej të rriteshin në dyert e familjarëve që ndjenin dhembshuri për këta 4 jetimë, duke jetuar edhe 13 veta në një dhomë.

“Por dhimbja më e madhe ka qenë për ta, fakti që nuk mund t’u ofronin një vend prehjeje të përjetshëm e të denjë prindërve të tyre të vdekur. Edhe pse dinin me afërsi vendin e varrosjes së tyre, për regjimin, prindërit e tyre ishin të zhdukur dhe armiq të popullit, e si të tillë nuk e meritonin një vend prehjeje”, shtoi ai.

Gjithashtu Meta theksoi se “Por dinjiteti njerëzor, humanizmi, dashuria janë elementët thelbësor në këtë histori njerëzore të dhimbshme. Sot, ne nderojmë jo vetëm vëllezërit Petrela, për humanizmin dhe vendosmërinë e tyre për të nderuar prindërit, duke i marrë në fshehtësi eshtrat e tyre dhe duke i ruajtur për shumë kohë në shtëpi. Njëkohësisht, ne nderojmë e përulemi përpara aktit fisnik të një fshatari të panjohur ende edhe sot, që përmbushi një amanet dhe njoftoi vëllezërit Petrela, në mes të natës, se vendi ku prindërit e tyre ishin varrosur do të shpyllëzohej dhe ata nuk do të kishin më kurrë mundësi t’i gjenin eshtrat e tyre. Ne përulemi dhe nderojmë aktet fisnike të miqve të vëllezërve Petrela, që i ndihmuan ata, së pari, duke ruajtur në shtëpitë e tyre eshtrat e prindërve e më pas duke i ndihmuar t’i varrosnin pa bujë e zhurmë”.

“Vëllezërit Petrela, ashtu si miqtë e të panjohurit që i kanë ndihmuar, kanë treguar me veprimet e tyre se fisnikëria, humanizmi, dinjiteti janë vënë përballë dhe në fund kanë sfiduar e fituar mbi shfytyrimin e depersonalizimin që, fatkeqësisht, sjellin sistemet totalitare. Për merita të veçanta civile, ata janë e do të vazhdojnë të mbeten shembuj frymëzues për brezat e ardhshëm të vendit. Nderim përjetë të gjithë viktimave të zhdukur me forcë, të gjithë disidentëve dhe të gjithë ish-të përndjekurve politikë të Shqipërisë!”, tha ai. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com