Në gjashtë muajt e parë të vitit 2019 ka mbi 13 përqind më shumë të huaj që kanë hyrë në Shqipëri dhe vetëm në muajin qershor ka pasur një rritje me 22 % përqind më shumë krahasuar me një vit më parë.
Nga Laguna e Kunë Vainit në Lezhë, një nga pikat më të frekuentuara turistike, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi bëri shifrat publike në një intervistë për ERTV.
Klosi tha se vetëm në 21 ditët e para të korrikut ka 18 përqind më shumë vizitorë të huaj se sa Korriku i vitit të kaluar.
Në të njëjtën kohë, njoftoi Ministri, janë shtuar edhe strukturat e njësive akomoduese.
“Ajo që është më impresionuese është shtimi me shpejtësi i kapaciteteve akomoduese. Plot 228 operatorë të rinj funksionojnë si hotele që mund të jenë edhe guest house, por ama janë me nipte, në zyra tatimesh. Ky është një hov i ri që kanë marrë investimet në turizëm që na rrit neve përgjegjësinë, se si të kemi më shumë klientë. Vetëm në Berat janë shtuar 4 ose 5 hotele me mbi 100 dhoma që duan furnizim”,- u shpreh ministri.
“Në vitin 2019 pritet që të arrihet shifra e 6.8 vizitorëve të huaj në Shqipëri, që krahasuar me një vit më parë është 15 %. Në vendin tonë, në vitin 2018 hynë rreth 6 milionë turistë të huaj, një rritje e konsiderueshme që do të thotë më shumë ekonomi, entuziasëm në sektor, por po ashtu, shumë më tepër përgjegjësi sepse po arrijmë drejt objektivit 10 milionë, sfidë krejtësisht e mundshme”, -shtoi Klosi.
Lidhur me hapësirat publike në plazhe, ministri theksoi se “Task Forca e ngritur nga qeveria shqiptare ka punuar për lirimin e hapësirave publike dhe sot kemi një mënyrë të re menaxhimit të hapësirës publike në plazhe”.
Paralelisht, lehtësitë fiskale të qeverisë për investimet në hoteleri, sipas ministrit të Turizmit kanë zgjuar tregun elitar të turizmit në Shqipëri, pasi sot janë 8 hotele me 5 yje në fazën përfundimtare të menaxhimit përfundimtar dhe marka të njohura si Hayatt, Mariott, Hilton, etj./atsh