Rreth 2,5 milionë besimtarë myslimanë në pelegrinazhin e Mekës kryen sot ritualin e goditjes me gur të Shejtanit, në ditën e parë të Aid al-Adha, festa e sakrificës që përkujtohet nga myslimanët në të gjithë botën.
Nën syrin vigjilent të forcave të sigurisë besimtarët parakalonin me turma të vazhdueshme për të hedhur gurë mbi kolonat që simbolizojnë Shejtanin në luginën e Minas, pranë Mekës.
“Është nxehtë, kam pirë shumë ujë ”, theksoi indiani Jaker Akjar, 48 vjeç.
Qindra policë dhe ushtarë janë vendosur në çdo kat të qendrës. Ambulancat janë mobilizuar, kamerat ndjekin lëvizjet e besimtarëve dhe helikopterët fluturojnë mbi këtë luginë me tenda të bardha.
Sipas versionit mysliman besimi i Ibrahimit u testua kur Zoti e urdhëroi atë të sakrifikonte djalin e tij të vetëm, Ismailin. Zoti i mbajti dorën duke i kursyer jetën të birit.
Në versionin kristian dhe hebre të historisë, Abrahami u urdhërua të vriste të birin, Isakun. Ditët e fundit të Haxhit koinçidojnë me festën e Kurban Bajramit, apo festën e sakrificës, pikërisht në nder të vënies në provë të besimit të profetit Ibrahim.
Riti i goditjes me gurë është një etapë e rrezikshme pasi në vitin 2015 rreth 2 300 persona humbën jetën pas një përplasjeje masive, tragjedia më e rëndë në historinë e Haxhit./atsh