“Të bëhet një teatër i mirë dhe t’i lëmë ata aktorë të ushqejnë me emocione popullin”, deklaron aktori i njohur shqiptar, Reshat Arbana.
Në vijim të qëndrimeve të aktorëve të njohur që mbështesin prishjen e Teatrit Kombëtar, Kryeministri Edi Rama shpërndau sot qëndrimin e aktorit Reshat Arbana.
“Të bëhet një teatër i mirë dhe t’i lëmë ata aktorë të ushqejnë me emocione popullin. Të shohim teatër që të ngacmojë spektatorin në zemër”, thekson Arbana.
Duke ndarë këtë qëndrim, Kryeministri Edi Rama shprehet se “njëri ndër idhujt e publikut shqiptar, aktor i gjeneratës së yjeve të një kohe kur mjeshtëria artistike i jepte kuptim kornizës së absurdit socrealist, Reshat Arbana i përket historisë së skenës e të ekranit. Por raportin me vlerat e historisë dhe respektin mjeshtrat e skenës, ai nuk e sheh aspak të lidhur me muret prej tallashi të karakatinës së sotme të Teatrit Kombëtar”.
“Përkundrazi, njësoj si të tërë artistët e vërtetë të skenës, aktori i madh mbështet prej shumë kohësh ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, në hapësirën ku i vjetri e ka kryer e humbur përfundimisht funksionin e tij”, shprehet Rama./atsh