Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se lufta për çlirimin e plazheve nga zaptuesit, falë edhe qytetarëve që nuk heshtin vazhdon papushim.
Lidhur me aksionin për rivendosjen e ligjit në çdo centimetër katror të bregut të Shqipërisë, Kryeministri Rama shprehet se “ky sezon do të jetë i fundit me këtë hall të madh për njerëzit dhe turp të madh për vendin e për shoqërinë”.
“Vazhdon pa pushim lufta për çlirimin e plazheve nga zaptuesit, falë edhe qytetarëve që nuk heshtin. Ky sezon do të jetë i fundit me këtë hall të madh për njerëzit dhe turp të madh për vendin e për shoqërinë. Me ligjin e ri për vijën bregdetare, përgjegjësinë për mbrojtjen e kësaj pasurie publike, të pushuesve e të bizneseve të rregullta, pa miq nëpër bashki e pa lekë për zyrtarucët bashkiakë, do ta marrë shteti”, nënvizon Rama.
Kreu i qeverisë ka publikuar edhe dy mesazhe dhe disa fotografi që sipas tij i kanë ardhur nga qytetarë të ndryshëm, mes tyre edhe sikur lexohet në tekst edhe demokratë lidhur me luftën anti-informalitetit.
“Na zure bashkitë, por të paktën na lirove plazhet. Bashkitë i paskan pas për vete partia jonë dhe jo për demokratët e vërtetë”, shkruhet në një nga mesazhet.
Policia e Shtetit vijon aksionin anti informalitet në të gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim përfitimin. /atsh