Kryeministri Edi Rama ka publikuar disa foto nga puna për pastrimin e territorit në disa bashki, të cilat më herët kanë qenë në drejtimin e së djathtës.
“Vau i Dejës, Përmet, Mat, Selenicë – Vijon papushim heqja e zhulit, plehrave e ferrave nga territoret, ku pas largimit të kryebashkiakëve revolucionarë, punonjësit e pastrimit nuk paguhen më si turistë politikë, për të mbushur radhët e protestave antishtet në Tiranë, po janë kthyer në punën e tyre në shërbim të komuniteteve”, shprehet Rama.
Kryeministri thekson se “meqë ra fjala, deri tani askush s’është larguar nga puna në ish-bashkitë e djathta (përveç ca kokave të mëdha e të pagdhendura politike, që kanë ikur me dorëheqje) dhe do të largohet vetëm kush nuk do të dojë t’i futet punës”.
“Në 30 qershor Shqipëria nuk votoi për të majtën po për TË DREJTËN dhe unë do të bëj çmos që askujt të mos i mohohet padrejtësisht, e drejta për të treguar se e do dhe e bën si duhet, punën që ka”, shprehet Rama. /atsh