Vijojnë me ritme të shpejta punimet në Qendrën Historike të Vlorës. Çdo ditë që kalon shikon ndryshimet pozitive, ku 68 objektet që gjendet në këtë zonë po marrin ‘shkëlqimin’ e strukturës bazë të shtëpive të Vlorës, mes tyre edhe godina të një rëndësie të veçantë, duke e bërë këtë qytet të rëndësishëm dhe me vlera të veçanta, jo vetëm për bregdetin e saj, por edhe për Qendrën Historike.
Tashmë po shkojnë drejt përfundimit punimet në Rrugën “Justin Godard” dhe atë të “Hebrenjve”, ku ndërhyrjet kanë qenë në disa fronte: në infrastrukturën rrugore, unifikimin e fasadave dhe nxjerrjen në dritë të hijeshisë së ndërtesave historike, të kësaj zone, të cilat janë mbuluar prej ndërtimeve pa kriter të disa dhjetëvjeçarëve.
Së bashku me partnerë si AADF dhe Bashkia e Vlorës, po punohet për restaurimet e fundit duke i dhënë një tjetër pamje qytetit dhe vlerë të shtuar për zhvillimin e turizmit, biznesit dhe duke rritur të ardhurat ekonomike të zonës.
Rikualifikimi i qendrës historike synohet të jetë një nga rrugët më historike dhe turistike të Shqipërisë.
Në kompleksin muzeal të rrugës “Justin Godard” “strehohen” godina tejet të rëndësishme si; shtëpia e qëndistares së Flamurit Marigo Posio, godina e ish-klubit Labëria (sot Muzeu Etnografik) apo edhe rruga e Hebrenjve, ku pritet të ndërtohet dhe një muze enkas për ata./atsh