Saranda priti për të dytin vit radhazi notarë nga vende të ndryshme të botës për të marrë pjesë në garën ndërkombëtare që nisi në brigjet e Butrintit për të përfunduar në brigjet e Korfuzit.
Duke folur për këtë eveniment, në cilësinë e organizatorit, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare tha se “janë rreth 70 persona nga vende të ndryshme të Europës dhe nga Italia e Zelanda e Re që janë bërë pjesë këtë vit”.
“Kjo tregon se ka një lloj interesi për këtë eveniment i cili mendojmë se mund të kthehet në diçka shumë më të rëndësishme në ditët që vijnë sepse edhe interesi është rritur nga qytetarët”, tha Tare.
Sipas tij, “ky aktivitet bëhet për disa arsye si për promovimin e turizmit, trashëgimisë kulturore, por edhe si një lloj homazhi për të gjithë ata shqiptarë që gjatë viteve të diktaturës tentuan të kalonin Kanalin e Korfuzit me not”.
“Fatkeqësisht, dy vitet e fundit nuk kemi asnjë notar shqiptar. Shpresojmë që vitet që vijnë edhe shqiptarët të vijnë të marrin pjesë, ashtu sikurse edhe autoritetet lokale të kenë interes”, tha Tare.
Kalimi me not i ngushticës nga notarët ndiqet nga një numër i madh banorësh të ishullit turistik si dhe nga autoritetet lokale, të cilët organizojnë edhe një festë në veriun e ishullit të Korfuzit./atsh