Loading...

Pesë fotografë bashkëkohorë nismë për ta vënë Sazanin në hartën artistike kombëtare e ndërkombëtare

Sazani, ishulli dikur i militarizuar, sot muze i rastësishëm i rrënojave ushtarake, rizbulohet nga lentet e pesë fotografëve bashkëkohorë.

Ekspozita e titulluar “Sazan: No Man’s Land” (shqip “Sazani: Tokë e Askujt”), e cila u hap për publikun në Galerinë e Bregdetit, në Radhimë, Vlorë, eksploron dimensionet e ndryshme të ishullit mes punëve të Helidon Gjergjit, Dritan Hyskës, Gaime Melonit, Abi Shehut dhe Gerta Xhaferaj.

Ekspozita u pasurua nga ture të udhëhequra nga kuratorët si dhe aktivitete shoqëruese kulturore në ambientet e Galerisë së Bregdetit.

Dy kuratorët Elian Stefa dhe Niku Aleks Muçaj thanë se “No Man’s Land” është një reflektim vizual dhe përsiatje dokumentuese mbi të shkuarën dhe të tashmen e ishullit, duke i lënë hapësirë imagjinatës së publikut për një të ardhme të mundshme të Sazanit.

“Ekspozita do të udhëtojë edhe jashtë vendit për të treguar potencialin e ishullit dhe kontekstit unik që përfaqëson”, tha Stefa.

Sipas Muçaj, kjo ekspozitë është një përpjekje për ta vënë Sazanin në hartën artistike kombëtare dhe ndërkombëtare. “’No Man’s Land’ është fillimi i jetësimit të këtij misioni”, tha ai.

Fotografia pasqyron qasjet e ndryshme stilistike dhe analitike të secilit artist të ftuar, por formati dhe përmasat mbeten konstante, duke ekspozuar rregullin dhe estetikën ushtarake.

Artisti Helidon Gjergji e konsideron Sazanin një muze historik, natyror dhe ushtarak. “Është një muze i gjallë, ku objektet vdesin dhe lindin, transformohen dhe tjetërsohen, dhe për paradoks, tregojnë të vërtetën shumë më tepër se muzetë klasikë”, tha Gjegji.

Ndërsa fotografja Abi Shehu vëren se “shkretia e ishullit të pushton përkundër historisë së tij si një vend dikur i jetueshëm, ndërsa sheh gjurmë të njeriut të cilat kanë marrë formën e harresës”.

Krahas fotografive, harta origjinale të periudhave dhe fuqive të ndryshme paraqitën rëndësinë ushtarake të ishullit në detaje të hollësishme teknike. Po ashtu, u shfaq një intervistë me komandantin e ishullit për 15 vjet gjatë regjimit komunist, Naim Muho – dëshmi e cila skicon një fotografi më vete të jetës kur Sazani shënonte kulmin e tij.

Një instalacion i krijuar për të prezantuar Sazanin në relacion me Gjirin e Vlorës, solli një këndvështrim të ri mbi ishullin, përtej siluetës së zakonshme që shumica janë mësuar ta shohin.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në shtator dhe do të jetë e qasshme për publikun, çdo ditë nga ora 10:00 deri në 20:00./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com