Parku Arkeologjik i Apolonisë vijon të jetë një destinacion i preferuar i turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë.
Grupe turistësh të huaj vizitojnë çdo ditë këtë park ku njihen me historinë e antikitetit të një prej siteve më të mëdhenj arkeologjik të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike.
“Korriku i këtij viti solli 5918 vizitorë në Parkun Arkeologjik Kombëtar Apolonia 3% më shumë se 2018”, bën të ditur ky park.
Sipas të dhënave të publikuara nga Parku Arkeologjik i Apolonisë 7 mujori i 2019 është vizituar nga 34 386 turistë, 15% më shumë se ai i 2018.
“Po ashtu edhe të ardhurat e 2019 nga shitja e biletave ka arritur në 6 606 330 lekë”, shton parku.
Parku arkeologjik i Apolonisë, i shpallur monument kulture nga viti 1948 është një nga parqet më të frekuentuara nga turistët e huaj dhe ata shqiptarë, si një ndër atraksionet turistike më të vizituara në vendin tonë.
Që prej 2006, qyteti antik i Apolonisë dhe zona përreth janë shpallur Park Arkeologjik Kombëtar./atsh