Loading...

Palmer: Zgjedhjet lokale të përgjegjshme e transparente, SHBA nuk mbajnë anë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Matthew Palmer, Zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, ka theksuar se mosmarrëveshja politike duhet zgjidhur nga institucionet shqiptare dhe jo me ndërhyrje nga jashtë.

I pyetur lidhur me kritikat se SHBA kanë zgjedhur stabilitetin mbi demokracinë duke mbështetur kryeministrin Rama, Palmer tha se Uashingtoni nuk mban anë në mosmarrëveshjet politike në Shqipëri dhe as nuk po i jep mbështetje Ramës, por mbështet institucionet shqiptare.

“Ne nuk po mbështesim kryeministrin Rama. Shtetet e Bashkuara nuk po mbajnë anë në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë. Ajo që ne po mbështesim është sundimi i ligjit, mbështesim institucionet shqiptare. Dhe ne do të dëshironim që mosmarrëveshjet politike në Shqipëri të zgjidheshin përmes këtyre institucioneve e jo përmes ndërhyrjeve nga jashtë”, deklaroi Palmer.

Në intervistë, Palmer thotë se dëshiron krijimin e Gjykatës së Lartë sepse mungesa e saj përbën shqetësim. “Ajo që na shqetëson është se nuk ka Gjykatë të Lartë. Ne do të dëshironim që gjykata të konstituohej. Mendojmë se është shumë e rëndësishme që çdo sistem të ketë kontrollet dhe ekuilibrat e duhur, në mënyrë të ketë përgjegjshmëri, transparencë dhe respek për sundimin e ligjit. Ne ia kemi shtruar këto çështje Kryeministrit Rama, siç kemi bërë me paraardhësin e tij dhe si ç’do të bëjmë edhe me pasardhësin e tij. Kjo është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, është e rëndësishme për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar. Është gjithashtu e rëndësishme për rajonin”.

I pyetur nëse duhen përsëritur zgjedhjet lokale, Palmer tha se “kjo varet në të vërtetë nga institucionet shqiptare. Apo jo? Dhe pikërisht për këtë arsye ne do të donim që Gjykata e Lartë të ngrihej, e përbërë nga gjyqtarë që kanë kaluar procesin e duhur të verifikimit. Ajo gjykatë do të ishte pikërisht në gjendje t’i përgjigjej asaj pyetjes. Nuk u takon Shteteve të Bashkuara që ta gjykojnë atë çështje. I takon Gjykatës së Lartë të Shqipërisë ta marrë atë vendim”.

Më tej, Palmer u shpreh se ” unë mund t’ju them se vëzhguesit tanë panë dhe ndoqën nga shumë afër atë që dëgjuam nga Misioni Monitorues i OSBE-ODIHR-it, pra që zgjedhjet dhe procesi aktual i votimit u zhvilluan kryesisht në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente, por procesi i përgjithshëm i mohoi popullit të Shqipërisë një alternativë kuptimplote. Pra, ekzistojnë shqetësime dhe rezerva reale në lidhje me vetë zgjedhjet, siç artikulohen nga OSBE-ja. Përsa i përket se cilat janë përgjigjet e duhura ndaj kësaj, ne do dëshironim ta shihnim këtë të dilte nga institucionet shqiptare”.

Lidhur me ndalimin e hyrjes në SHBA të Vangjush Dakos dhe familjen e tij, Palmer u shpreh se “mendoj se çështja këtu për Shtetet e Bashkuara është se kemi pasur dëshmi të forta në lidhje me aktivitetet e korrupsionit nga ana e zotit Dako. Dhe ne kemi autoritetet që janë të nevojshme për të ndërmarrë veprime në përgjigje të kësaj”.

Ai tha se “ky është një autoritet që ne me siguri nuk kemi frikë ta përdorim. Dhe është një autoritet që ne besojmë se mund të kontribuojë në procesin e luftimit të korrupsionit publik në Shqipëri dhe gjetkë”.

Gjithashtu, zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë theksoi se nuk mendoj se e shohim këtë si çështje të qeverisjes së Kryeministrit. Ne e shohim këtë si një çështje se si Shtetet e Bashkuara reagojnë ndaj sfidës së praktikës korruptive nga ana e atyre që janë në pozitën e besimit publik”.atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com