Në vijim të zbatimit të Planit të Masave kundër Informalitetit dhe Evazionit Fiskal në sektorët e Turizmit, Ndërtimit, Hidrokarbureve, Tregtimit të mallrave me akcizë, Policia e shtetit ka ushtruar kontroll në subjektin “Gen Klaudis ShA”.
Nga kontrolli tatimor janë gjetur pompa, të cilat në shkelje të ligjit, funksiononin në regjim manual dhe për këtë arsye, është kryer bllokimi i tregtimit të karburantit nga ky subjekt.
Në njoftimin zyrtar thuhet se “Policia e Shtetit në bashkëpunim me organet tatimore, ka ndjekur veprimtarinë e tatimpaguesit “Gen Klaudis ShA, në vijim në datën 07.08.2019. Nga kontrolli tatimor janë gjetur pompa, të cilat në shkelje të ligjit, funksiononin në regjim manual dhe për këtë arsye, është kryer bllokimi i tregtimit të karburantit nga ky subjekt.
Menjëherë pas bllokimit, u kryen hetime intensive që çuan në konkluzionin se administratori i kompanisë, shtetasi P. G përmes subjektit “Gen Klaudis ShA”, që njihet me emrin tregtar “Gega Oil”, ka kryer evazion fiskal në përmasa të konsiderueshme. Po ky shtetas është proceduar katër vjet më parë nga Drejtoria e Policisë Shkodër, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”. Pas veprimeve hetimore, Policia e Shtetit i referoi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, materialet në ngarkim të shtetasit P.G”.
Ndërkaq, prokuroria nxori një urdhër ndalimi për këtë shtetas, i cili rezulton se është larguar nga vendi në datën 09.08.2019 ndërsa shtetasi P. G u shpall në kërkim për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” , “Ndryshimi në aparatet matëse” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”./atsh