Njëkohshëm
Poezi nga Laureta Petoshati
Mbrëmë një enë me ujë kristal
me petale lulesh e mbusha plot
herët në mëngjes dielli mirë pa dalë
me lëngun e mermë u lava sot.
Parfumi që më pushtoi i përkohshëm
malli që më ka gllabëruar i përjetshëm
malli dhe aroma të njëkohshëm
njëri tret, tjetri është i tretshëm.
Malli pushton si vjeshta me gjethe shëtitoret
siç pushton bari mbas shiut varret
siç mbulohen me flamurët e lavdisë fitoret
si pyjet me pisha përpihen nga zjarret.
Malli im është i lëvizshëm
një ujëvarë dallgësh mbi anije
godet- godet, rrethon përbindshëm
në det të hapur s’di ku të shpije.
Malli me burrat e këtij qyteti të huaj më ngjan
veshin rroba adoleshentësh të duken të rinj
një arnë e re në stofë të vjetër s’mban
shpirtin ma përmbys pesha e tij.
Malli im është një hije e kaltër
e një cope qielli që mbi kokë më rri
mori lulëkuqesh që pushtojnë grunajën
sa kallinjtë kokulur nuk i sheh njeri.
Malli është një plagë që nuk zë dregëz
aq sa dhëmb aq tregon se jemi njerëz…