Shqipëria po shënon periudhën më të mirë turistike ndër vite, me një numër rekord vizitorësh që kanë “pushtuar” vendin nga jugu e deri në veri.
Shifrat zyrtare për muajin korrik 2019, dëshmojnë se turizmi po nxit një zhvillim të ri e të vrullshëm për ekonominë e vendit, bizneset e sektorët dhe konsumit në tërësi.
INSTAT bën të ditur se, në muajin korrik 2019, hyrjet e shtetasve të huaj në vendin tonë shënuan 1.176.810 persona. Krahasuar me korrikun 2018, ky numër është rritur me 14,5%.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri përgjatë 7 muajve të parë të 2019 arriti në 3.313.762, duke u rritur me 12,4%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Në korrik 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Kosova ka pasur rritjen më të madhe me 25,5%, pasuar nga turistët nordikë, italianë, anglezë, polakë, çekë, amerikanë etj./atsh