Deputeti i opozitës parlamentare Muslim Murrizi i drejtohet kryetarit të PD-së Lulzim Basha, duke i thënë se mjaft u tallë me demokratë, duke folur për fitoren plebishitare me 85% në zgjedhjet e 30 qershorit.
“Boll u talle me demokratet zoti Basha, mos i mashtro më, duke i mbajtur me shpresë të kotë. Shqiptaret vuajnë mjerimin e keq qeverisjes, arrogancën e qeverise, presionin e pushtetit, ti tallesh me demokratet duke ju thënë se ke fituar 85 %”, shprehet ai.
Po ashtu, Murrizi akuzon Bashën se xhirimet e demokratëve i shfaq në ekrane, ndërsa pushon në plazhet e europës.
“I trajton demokratët si figurantë në “ filmat”, duke i xhiruar para 7 ditësh dhe i shfaq me radhë që ti shohësh nga plazhet e europës. Ke 7 ditë që ke qenë ne takim tek lokali i Prof Malit në Divjakë, dhe e shfaq dje si film, për të treguar se po bën namin me takime edhe në sezon pushimesh”, shprehet ai.
Duke folur për regjistrimin e disa partive të opozitës në zgjedhjet imagjinare të 13 tetori, Murrizi shprehet se “Fakti që disa “ lider” të opozitës së bashkuar kërkojnë të regjistrohen për zgjedhjet lokale imagjinare të datës 13 tetor, pa ndryshuar asgjë nga ajo çfarë nga data 19 shkurt mashtruat demokratët, tregon me së miri se mos futja në zgjedhje me date 30 qershor, nuk paska qenë për arsye politike, por për arsye klimaterike”.
Në vijim, Murrizi i rendit Bashës disfatat, si lideri prej 6 vitesh në PD, që nga reforma në drejtësi, djegia e mandateve, zgjedhjet e 30 qershori.
“Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2015, ku të gjitha kandidaturat i vendose ti, fillove te prishesh degët duke shkarkuar kryetarët. Fillove të mashtrosh demokratet me reformën në drejtësi nga viti 2014-2016, duke bërë njëherë faktorin e njëherë kundërshtuesin. Pastaj në korrik 2016, pasi jua futi dy këmbët në një këpucë Amerika, votuat si lepuj me 140 me zero. Braktise kuvendin qysh ne korrik 2018 dhe fillove ta “ zëvendësosh” me konferenca shtypi. Pastaj nuk e di çfarë ndodhi qe me date 23 dhjetor 2018, pikërisht ditën e fundit që na digjeshin mandatet vetë, u futem në kuvend për të regjistruar rrogën. Pastaj si rrufe ne qiell te hapur pas pushimeve dimërore vjen vendimi “ bombë” per djegien e mandateve. Kaloi 16 shkurti, 16 marsi, 13 prilli, 11 maj, 8 qershori, 15 qershori me kapsolle e molotov dhe 23 qershori i protestës “ silencioze moderne”, dhe Rama nuk ra as nga krevati jo nga pushteti”, shprehet ai.
Gjithashtu Murrizi shton se “pastaj krijove aleancën qytetare qe nuk do te lejonin “kurrë” të bëheshin zgjedhjet e 30 qershorit dhe nuk do të njohim. Pastaj dole të shtunën vone, me datë 29 qershor duke thyer edhe heshtjen zgjedhore dhe deklarove qe nuk do bëjmë “ lufte” nesër, por nuk i njohim zgjedhjet. Pastaj thirre kryetarët e bashkive në detyrë dhe deklarove qe nuk do i lëshojmë zyrat. Ne fakt ajo që po shohim është krejt ndryshe. Po për çfarë mund te protestojë një “ fitues” plebishitare me 85%. Prandaj boll mashtrove dhe boll u talle prej 6 vitesh me demokratët”./atsh