Loading...

“Mjalt fest” në Himarë, Klosi: Produktet vendase, ofertë e shtuar në paketën tonë turistike

Nga pedonalja e Himarës ku u cel edicioni i dytë i Mjalt Fest, ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi tha se festat lokale shumë shpejt do të kthehen në pika ku do të ketë ekonomi për prodhuesit e zonës, të cilët ofrojnë produktet e tyre për turistët e shumtë që frekuentojnë Himarën dhe të gjithë Shqipërinë.

Në ceremoninë e hapjes së panairit të mjaltit, ku ishin të pranishëm kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, sipërmarrës të zonës dhe mjaft turistë, ministri Klosi theksoi se tashmë me ligjin e zejtarisë ka ardhur koha që pikat e rëndësishme turistike si Himara duhet të kenë vetëm produkte tradicionale shqiptare. Prodhimet e zejtarëve të traditës janë mundësia e artë për të ofruar më të mirën e vendit tonë për turistët e shumtë që frekuentojnë Shqipërinë gjatë sezoni turistik.

Ministri theksoi se një nga produktet që turistët duan të shijojnë kur vijnë në Himarë dhe që duan ta marrin me vete është mjalti, produkt që në këtë zonë është disa llojesh, gjithashtu një nga produktet më të shitura në panairin e qytetit bregdetar.

Ministri Klosi theksoi se festat lokale të organizuara në vende të populluara nga shumë turistë japin mundësinë pushuesve të njohin produktet tona tradicionale. Nga ana tjetër prodhuesit kanë mundësi që të testojnë produktet e realizuara prej tyre. Edhe kryetari i bashkisë vlerësoi festën si një mundësi të shtuar për pushuesit duke krijuar një atmosferë të veçantë.

”Panairi do të jetë i hapur për 2-3 ditë dhe do t’u japë mundësinë të gjithë turistëve të provojnë prodhimet e zonës dhe u jep mundësinë prodhuesve që të shikojnë reagimet e para karshi produktit të tyre. Idea jonë për të realizuar festat lokale në zonat turistike vjen për disa arsye: E para për të pasur mundësinë që prodhuesit vendas të ekspozojnë produktet e të kuptojnë se çfarë u intereson më shumë turistëve. Po ashtu festat lokale i organizojmë për t’i ardhur në ndihmë pushuesve, për të pasur mundësinë që në këto atraksione turistike të shohin se çfarë prodhon komuniteti dhe së bashku me plazhin po ashtu të kenë mundësinë që të njohin dhe provojnë produktet e zonës”, tha ministri Klosi, sipas të cilit objektiv i rëndësishëm është që këto festa të kthehen në traditë.

“Ne do të vazhdojmë gjatë gjithë sezonit për të organizuar së bashku me pushtetin lokal kudo festa të tilla, ku ka atraksion turistik pasi mendojmë që është shumë e nevojshme që Shqipëria të shoqërohet edhe me këto produkte dhe turistët që vijnë në Shqipëri përveç se të ndiejnë mikpritjen shqiptare, të ofruar edhe nëpërmjet projektit Smile Albania të kenë mundësinë që të testojnë edhe produktet vendase. Po ashtu në kuadër të ligjit të zejeve , tashmë ka një mbrojtje për zejtarët dhe për zonat si shëtitorja e Himarës, do të duhet shumë shpejt të ketë vetëm produkt shqiptar, të tregtohen prodhimet që bëhen nga zejtarët, nga ata që kanë një profesion por kanë edhe një traditë, për të ofruar më të mirën e vendit tonë”, tha ministri Klosi nga Himara.

Këtë vit Mjalt Fest mbahet në Himarë, ku përveç një panairi degustimi të mjaltit janë ekspozuar edhe produkte të tjera bio dhe artizanale të zonës, shoqëruar me muzikë dhe argëtim për të gjithë pushuesit. Gjatë ceremonisë u shpallën edhe fituesit e konkursit të mjaltit që përfaqësonin bletaritë më të mira nga katër qytete.

Mjalt Fest u organizua për të parën herë në vitin 2018 në Dhërmi në kuadër të politikave të ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për të nxitur zhvillimin e festave lokale si mundësi për të promovimin e produkteve tradicionale, bio dhe atraksioneve turistike të zonave të ndryshme në të gjitha bashkitë e vendit./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com