Presidenti i Republikës, Ilir Meta e ka cilësuar sot At Zef Pllumi si simbol të humanizmit dhe sakrificës së paharruar në emër të vlerave hyjnore.
Duke e përkujtuar në 95-vjetorin e lindjes së tij, Meta është shprehur se ne përkujtojmë sot me nderim e respekt të thellë veprën e jashtëzakonshme dhe porositë e tij të urta për një Shqipëri më të drejtë dhe më humane, ku respektohen të drejtat e liritë themelore të njeriut.
“Në 95-vjetorin e lindjes së At Zef Pllumit, udhëheqësit të ndritur shpirtëror, simbolit të humanizmit dhe sakrificës së paharruar në emër të vlerave hyjnore, lirisë dhe dinjitetit njerëzor, ne përkujtojmë sot me nderim e respekt të thellë veprën e jashtëzakonshme dhe porositë e tij të urta për një Shqipëri më të drejtë dhe më humane, ku respektohen të drejtat e liritë themelore të njeriut”, ka theksuar Meta.
“Me një kontribut të çmuar për ringritjen e Kishës Katolike në Shqipëri, At Zef Pllumi ishte dhe do të mbetet shembulli i jashtëzakonshëm i dashurisë për dijen dhe demokracinë, i cili si klerik por dhe si qytetar i angazhuar, nxiti dhe frymëzoi mbarë shoqërinë tonë, në veçanti të rinjtë, për të ndjekur rrugën e duhur përmes dijes, demokracisë dhe drejtësisë, drejt vlerave perëndimore të mohuara për 45-vite”, ka nënvizuar Meta.
“Rrno vetëm për me tregue”, veprat dhe dëshmitë e tij të tjera rrënqethëse për krimet dhe monstruozitetin e regjimit komunist, mbeten gjithmonë aktuale si udhërrëfyes, jo vetëm për të njohur me transparencë të kaluarën tonë dhe për të mos ta harruar kurrë atë, por edhe për të na ndihmuar për të luftuar çdo të keqe dhe formë despotike që na largon nga Europa e Bashkuar dhe synon ta kthejë Shqipërinë 30 vite pas”, është shprehur Meta./atsh