Skemat kombëtare të mbështetjes në bujqësi, po nxisin fermerët të shtojnë investimet edhe në bletari nga viti në vit.
Agjencia e Zhvillimit Bujqësorë dhe Rurale (AZHBR) bën të ditur se, gjatë vitit 2019 u rrit në 962 numri i fermerëve që aplikuan dhe u kualifikuan për subvencion në bletërritës në të gjithë vendin, kundrejt 600 aplikimeve që u regjistruan një vit më parë.
90% e fermave që kanë aplikuar kanë 100-150 koshere në zotërim dhe vlera e subvencionit të ofruar nga skema kombëtare arrin deri në 150 mijë lekë për fermë.
Nga prodhimi i mjaltit dhe nënprodukteve të tjera, fermerët sigurojnë fitime të kënaqshme. Por zhvillimi i eksporteve nga bletaria do të shtojë edhe më shumë të ardhurat për sipërmarrësit e këtij sektori.
Shqipëria për vetë florën e pasur që ka dhe kushtet e motit, ofron mundësi shumë të mira për prodhimin e mjaltit cilësor dhe me shije të veçantë.
Sot prodhimi dhe tregtimi i mjaltit është ende në nivele të konsumit të brendshëm dhe eksportohet vetëm në vendet e rajonit. Certifikimi i këtij prodhimi sipas standardeve europiane pritet të zgjerojë gjeografinë e eksporteve të mjaltit “Made in Albania”./atsh