“Të ngrihemi mbi interesin personal, të mendojmë për interesin kombëtarë, u shpreh sot Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta në urimin e tij për festën e Kurban Bajramit.
Meta uron besimtarët për më shumë tolerancë, solidaritet, mirësi dhe begati.
“Në këtë ditë të shenjtë, feste e bashkimi, kur ne ndajmë begatinë tonë me njerëzit në nevojë dhe solidarizohemi me ta, ju uroj nga zemra sa më shumë mirësi, mirëkuptim e dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit! Kjo festë që vërteton harmoninë e bashkëjetesën tonë fetare, uroj të na nxitë për më shumë tolerancë, dialog gjithëpërfshirës dhe bashkëpunim, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të mirë e të begatë për brezat e rinj dhe një Shqipëri si gjithë Europa!”, shprehet ai.
Duke folur për ditën e sakrificës së Kurban Bajramit, Meta apelon për më shumë tolerancë e dialog.
“Dita simbol e sakrificës sublime në emër të vlerave më të mira njerëzore e hyjnore, na fton të ngrihemi mbi interesat personale, për të menduar më shumë për interesin e përbashkët kombëtar, për të shëruar njëherë e përgjithmonë plagët e thella të shoqërisë sonë, varfërinë, korrupsionin, polarizimin e tejskajshëm, arrogancën dhe padrejtësinë, për t’u përkujdesur e shtuar vëmendjen për fëmijët jetimë, të moshuarit, të vetmuarit dhe për të gjithë ata që luftojnë me vështirësi dhe me sëmundje”, shprehet ai.
“Të bashkuar rreth vlerave më të mira njerëzore, hyjnore e kombëtare, rreth familjes e kombit ne do t’ia dalim, pavarësisht kostove e sfidave që kërkohen!Nga mot Gëzuar Kurban Bajramin”, përfundon Meta mesazhin e urimit./atsh