Loading...

Karaburun-Sazan, e para zonë e mbrojtur detare përgjatë bregdetit

Zona e Mbrojtur Detare e Karaburun Sazanit është e para zonë e mbrojtur detare e krijuar përgjatë bregdetit shqiptar. Kjo zonë njihet për vlerat e saj të larta dhe unike të biodiversitetit detar dhe rëndësi të madhe për sa i takon potencialit të zhvillimit të qëndrueshëm për rajonin e Vlorës.

Objektivat afatgjatë të ruajtjes së zonës së mbrojtur detare, kanë për qëllim të sigurojnë mbrojtje dhe mirëmbajtje të diversitetit biologjik, duke siguruar në të njëjtën kohë një rrjedhë të qëndrueshme të produkteve dhe shërbimeve natyrore, në mbështetje të zhvillimit të komuniteteve bregdetare.

Nëpërmjet projektit “Përmirësimi i Efektivitetit të Mbulimit dhe Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Detare dhe Bregdetare” të financuar nga GEF dhe qeveria italiane, janë financuar rritja e kapaciteteve dhe krijimi i ambienteve të nevojshme për punë.

Me qëllim lehtësimin e aksesit për të vizituar Parkun Detar, fal këtij projekti në bashkëpunim edhe me grupet e interesit në nivel kombëtar dhe lokal, janë zhvilluar disa ndërhyrje në zonë sipas Planit të Menaxhimit ndër të cilat kanë qenë: Pajisja e zonës me bova sinjalizuese të Parkut Detar; ristrukturimi i bankinës ankoruese Shën Vasil; vendosja e sistemit të tabelezimit me qellim informimin e vizitoreve; pajisja me mjet lundrues te administratës së Parkut; nisja e procesit për ndërtimin e një qendre informacioni në zonën e Radhimës për zonat e mbrojtura; zhvillimi i një platforme informimi për Mjedisin dhe Turizmin në bashkëpunim me Bashkinë e Vlorës, e cila ndihmon vizitorët të njihen me të gjitha informacionet e nevojshme për Zonat e Mbrojtura, Mjedisin dhe Turizmin në qytetin e Vlorës.

Rezultatet kryesore të projektit kanë të bëjnë me përmirësimin e përfaqësimit bio-gjeografik të zonave detare dhe bregdetare të mbrojtura dhe kuadrin e përmirësuar të menaxhimit të këtyre zonave, forcimin e strukturave institucionale dhe ngritjen e kapaciteteve. Partnerë të këtij projekti janë Agjencia e Zonave të Mbrojtura Vlore, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, autoritetet lokale, Shoqëria Civile etj.

Rëndësia dhe suksesi i ruajtjes së këtyre zonave është bashkëpunimi me komunitetin lokal dhe partnerët kombëtar dhe lokalë, por edhe mirëkuptimi i vizitoreve për të respektuar natyrën dhe shijuar atë që parku kombëtar detar ofron./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com