Butrinti do të presë për të dytin vit radhazi notarë nga vende të ndryshme të botës për të marrë pjesë të shtunën në garën ndërkombëtare që nis në brigjet e Butrintit për të përfunduar në brigjet e Korfuzit.
Duke folur për ATSH-në, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare shprehet se në këtë garë marrin pjesë 70 notarë nga Anglia, Irlanda, Franca, Greqia dhe Australia.
“Gara starton të shtunën dhe nisja bëhet nga Butrinti dhe shkojnë në Korfuz”, sqaroi Tare.
Po ashtu Tare theksoi se thelbi është promovimi i dy brigjeve turistike, Butrint-Korfuz, si dhe parë në një dimension tjetër atë, të koherencës historike është një kujtesë për të gjithë ata që tentuan të kalonin bregun në një kohë tjetër, atë të komunizmit.
“Duke qenë se kjo ngushticë ka qenë gjithmonë e mbyllur, e ruajtur dhe e palejueshme për njerëzit për komunikim dhe ideja ishte që të krijonim një lloj komunikimi, një promovim të kanalit, pasi në rrafshin ndërkombëtar ka jehonë, promovon turizmin, trashëgiminë, Butrintin. Rikthimi i imazhit të atyre që iknin me not në kohë të komunizmit, arratiseshin”, shtoi ai.
Kalimi me not i ngushticës nga notarët ndiqet nga një numër i madh banorësh të ishullit turistik si dhe nga autoritetet lokale, të cilët organizojnë edhe një festë në veriun e ishullit të Korfuzit. /atsh