Kryeministri Edi Rama publikoi sot rastin e një foshnje 13-ditëshe i diagnostikuar me një sëmundje të rrallë në zemër, i cili falë ndërhyrjes së autoriteteve shtetërore është nisur për kurim në Itali.
“Vogëlushi Elio ka lindur 13 ditë më parë, i mezi pritur nga mami e babi, që prej 12 vjetësh. Por gëzimi i madh erdhi me dhimbjen e madhe të një problemi tejet të rëndë në zemrën e bebit”, shprehet Kryeministri.
Rama tha se ai ka “një diagnozë shumë të rrallë, e cila trajtohet vetëm në pak spitale të specializuara në Europë”.
“Por prindërit e Elios, nuk janë vetëm në këtë hall të madh. Ne ishim pranë tyre qysh ditën e parë dhe tanimë, bebi është në duart e specialistëve të duhur në Itali. Me gjithë zemër uroj, që zemra e vogël të shpëtojë nga rreziku i madh që i kanoset dhe Elio të jetë për shumë e shumë vite, burim gëzimi për mamin e babin”, tha Rama./atsh