Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shpjeguar detaje teknike që lidhen me procesin e ri të faturës elektronike, ndërsa paketa e re ligjore për jetësimin e këtij sistemi, ka nisur të konsultohet me grupet e interesit.
Ka raste kur fiskalizimi i faturës nuk do të jetë i mundur në momentin e lëshimit të faturës, për shkak të mungesës së internetit.
Sipas tatimeve në këto situata emetuesi do të lëshojë faturë të blerësit, së bashku me të gjitha karakteristikat e tij, por në vetvete fiskalizimi nuk do të bëhet në momentin e lëshimit të faturës. Emetuesit do të ruajnë faturat që lëshuan në pajisjen që përdorën (arkën ose të ngjashme). Çdo mesazh do të futet në dosjen e vet të cilësuar “RegisterInvoiceRequest___.xml”. Pasi emetuesi të lidhet me internetin do të bëjë fiskalizimin e faturave të tij përmes portalit.
Çdo faturë duhet të regjistrohet në shërbimin e fiskalizimit dhe pas regjistrimit të suksesshëm faturës i caktohet FIC, e cila shtypet në faturë. /atsh