Loading...

Dosja 184 në Prokurorinë e Dibrës, PD: Veprim për të varrosur hetimet

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se kalimi i dosjes nr. 184 në Prokurorinë e Dibrës është praktikisht mënyra për varrosjen e hetimeve për vjedhjen e zgjedhjeve.

“Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pushuar së ekzistuari si e tillë dhe me urdhër të Edi Ramës, është shndërruar në një prokurori private që nuk ndëshkon krimin e vjedhjes së zgjedhjeve, por e mbron atë. Sot, media zbuloi vendimin skandaloz për të varrosur dosjen 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër”, theksoi Bardhi.

Sipas tij, kalimi i dosjes në Prokurorinë e Dibrës është praktikisht mënyra për varrosjen e hetimeve për vjedhjen e zgjedhjeve.

“Publikimi i përgjimeve nga gazeta prestigjioze gjermane BILD u faktoi shqiptarëve se në vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër, partia në pushtet kishte vepruar si një organizatë e mirëfilltë kriminale”, – nënvizoi Bardhi.

Ai tha se “heqja dorë nga hetimi dhe kalimi i dosjes në Prokurorinë e Dibrës, me urgjencë dhe në fshehtësi, në prag të ngritjes së SPAK-ut, është qartazi shmangie e kalimit të kësaj dosje tek SPAK-u”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com