Me qëllim garantimin e një sezoni veror sa më të sigurt dhe cilësor kanë vijuar takimet e Task Forcës së Turizmit, këtë herë në zonën e Himarës.
E pranishme në këtë takim ishte Ministre e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, kryetari i Bashkisë Jorgo Goro, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Denaj, bëri një bilanc të rezultateve të arritura në kuadër të zbatimit të Planit Operacional, në luftë kundër informalitetit.
Gjatë muajit korrik në të gjithë rajonin Vlorë – Himarë dhe Sarandë, janë realizuar 755 kontrolle nga të cilat, rreth 40% kanë rezultuar me shkelje.
“Konstatojmë se ka një rritje të ndërgjegjësimit të biznesit për t’u regjistruar në organet përkatëse përpara sesa të regjistrohet në Booking.com, megjithatë pajisja me kupon tatimor mbetet shqetësues, pasi nuk është ende në nivelin e duhur. Kemi vënë re edhe një rritje të denoncimeve nga ana e qytetarëve dhe kjo tregon frymën e mirë të bashkëpunimit, e cila duhet të vazhdojë. Një problem tjetër mbetet edhe mosdeklarimi i rregullt i punonjësve, si dhe deklarimi jo i plotë i pagës. Konstatojmë që ka punonjës të cilët një pjesë të rrogës e marrin në zarf, një pjesë e marrin nëpërmjet llogarisë bankare, sikurse ka shumë biznese të cilët nuk i kanë të regjistruar të gjithë punonjësit. Një në 7 punonjës nuk i kanë të deklaruar dhe Inspektoriati i Punës vazhdon inspektimet dhe ky fenomen bëhet më shqetësues gjatë sezonit turistik, kur rritet edhe punësimi sezonal. Janë të paktën 257 të punësuar vetëm në muajin korrik për gjithë rajonin Vlorë – Himarë. Megjithatë, ky numër po të krahasohet me numrin e hoteleve që operojnë mbetet i vogël, ç’ka do të thotë që punësimet ndodhen në forma të tjera dhe mendojmë që ne mund ta rrisim më tej përpjekjen tonë për të ndërmjetësuar nëpërmjet Zyrave të Punës. Përsëri në raport me ligjshmërinë kërkesa që të gjithë të punësuarit të jenë të deklaruar dhe të paguar në 100% të vlerës së tyre të rrogës është absolute dhe ne do të vazhdojmë inspektimet dhe në këtë aspekt, përveç atyre të shkeljeve të administratës tatimore”, tha ministrja Denaj.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, gjithashtu theksoi se sfidë mbetet ende rritja e aftësisë profesionale të burimeve njerëzore. Në këtë aspekt një rol të konsiderueshëm ka pasur edhe zhvillimi i shkollave profesionale, ku në Vlorë janë funksionale tre.
“Për vitin akademik numri i studentëve ishte 1,350 në të tri shkollat. Vetëm shkolla profesionale Hoteleri – Turizmit ka 625 studentë. Mbetet një numër i vogël, ç’ka do të thotë që kemi akoma punë për të bërë edhe në këtë drejtim për të rritur numrin e studentëve që dalin nga shkollat profesionale. Konstatojmë se ka një numër shumë të vogël të vajzave që janë gati 133. Mund të vijë kjo si rezultat për rajonin e jugut edhe për faktin që ka emigrim të popullsisë. Ne duhet të ngremë një politikë më afatgjatë si në raport me punësimin, ashtu edhe me rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore”.
Një tjetër pikë ku u ndal ministrja Denaj, në takimin e Task Forcës së Turizmit ishte dhe puna që duhet të bëjë administrata tatimore për ndërgjegjësimin e subjekteve për të lëshuar kuponin tatimor.
“Në qoftë se ne të gjithë kthehemi në kërkues të zbatueshmërisë së ligjit, rrisim jo vetëm ndërgjegjësimin, por edhe luftën ndaj evazionit. Gjithashtu e rëndësishme është edhe denoncimi i rasteve abuzive përmes të gjitha mjeteve të komunikimit. Në ditët e fundit të kësaj jave, ne do të kemi një aplikacion që quhet Stop-Informaliteti dhe që shkarkohet lehtë dhe të përdoret nga të gjithë. Është koha të ndihmojmë strukturat e administratës tatimore, si dhe të anagazhohemi të gjithë në luftën kundër informalitetit, pasi qëllimi i përbashkët është rritja e të ardhurave, realizimi i më shumë investimeve publike, si dhe garantimi i konkurrencës së ndershme”.
Ministrja Denaj, i bëri thirrje bizneseve që të respektojnë me korrektësi detyrimet ligjore, si dhe të përfitojnë nga lehtësitë fiskale që ka ndërmarrë qeveria shqiptare siç është reduktimi i shkallës së TVSH-së në masën 6%, për të zhvilluar një turizëm të qëndrueshëm./atsh