Lagja “5 Maji” e Elbasanit, një nga lagjet më të mëdha të qytetit po i nënshtrohet investimeve.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, së bashku me Kryetarin e Bashkisë, Gledian Llatja, inspektuan punimet që po kryhen për sistemimin e shesheve të pallateve dhe rikonstruksionin e rrugës “Mustafa Demiri”.
“Menjëherë pas konstituimeve, bashkitë i janë rikthyer punës intensivisht. Është thjeshtë e qartë: nuk ka pushime këtë vit për kryetarët e sapozgjedhur. Lagja “5 Maji” e Elbasanit është një nga lagjet më të mëdha, por edhe më problematike përsa i përket informalitetit. Pasi kanë përfunduar rrugët kryesore, tashmë investimet në këtë zonë janë përqëndruar në sheshet e pallateve”, shprehet Balla.
“Së bashku me Kryetarin e Bashkisë, Gledian Llatja inspektuam punimet që po kryhen për sistemimin e shesheve të pallateve dhe rikonstruksionin e rrugës “Mustafa Demiri”. Investimi ishte e domosdoshëm, pasi ndërhyrjet informale kishin shkaktuar bllokim të kanaleve dhe për pasojë, përmbytje”, thekson Balla.
“Fiks 2 muaj më parë, në 2 Qershor, kjo ishte një prej lagjeve që u përmbyt nga shirat e shumtë që ranë dhe konfirmoi domosdoshmërinë për një ndërhyrje të thellë e të shpejtë”, shton Balla.
Balla falenderoi kryebashkiakun Llatja për planifikimin brenda këtij viti të një prej lagjeve me shumë informalitet.
“Dua ta falenderoj Gledin, bashkinë për planifikimin brenda këtij viti të një prej lagjeve me shumë informalitet, por që informaliteti kishte shkaktuar edhe bllokim të kanalizimeve dhe rrugëve.
Ai garantoi banorët se “kjo punë intensive që ka nisur prej ditës së parë të punës së Gledit, do të vijojë në çdo cep të Elbasanit, për të zëvendësuar informalitetin me blloqe banimi komode, hapësira të gjelbra, dhe kënde lojërash për fëmijë. Punimet në këtë lagje do të përfundojnë brenda dy muajsh dhe vjeshta nuk do t’i gjejë më banorët mes baltës e tymit. Fokusi i bashkive tashmë është zhvendosur në lagjet periferike”./atsh