Loading...

Artizanët vlonjatë ekspozojnë punimet e tyre për herë të parë në Lungomare

Artizanët dhe mjeshtrat e Vlorës për herë të parë po ekspozojnë punimet e tyre në një nga mjediset e Lungomares dhe pikërisht në rrugicën midis Palmash, përpara ish shkollës së Marinës.

Ky është një premtim i mbajtur i kryetarit të bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, dhënë gjatë fushatës së fundit elektorale.

Sejmen Gjokoli, kryetar i shoqërisë “Art CRAFT” thekson për ATSH-në se “për të parën herë artizanët e këtij qyteti dhe rrethinave për rreth, organizuar në shoqatën “Art CRAFT”, por edhe të tjerë individë dalin të organizuar në një nga mjediset e bukura të Lungomares buzë detit për të ekspozuar punimet e tyre të larmishme të krijuara kryesisht në mënyrë artizanale”.

“Me çeljen e tregut të artizanëve dhe suvenireve, Vlorës iu shtua një dimension i munguar jo thjesht në aspektin tregtar apo komercial, por më tepër si një aspekt i rëndësishëm trashëgimie e turistik i cili e kthen sipërfaqen turistike të qytetit në një hapësirë plot art e trashëgimi kulturore”, thekson Gjokoli.

Sipas tij, ky panair i përditshëm artizanësh synon që shumë shpejt të kthehet në një mini qytet artizanësh e mjeshtrash me punime artistike tradicionale.

Arben Breshani, kryetar i Dhomës së Tregtisë që qarkun e Vlorës tha për ATSH-në se “është një treg simbolik që e kthen Vlorën në qytet turistik. Ne të gjithë kemi dalë jashtë vendit dhe kemi parë e kemi marrë gjithmonë prodhimet artizanale të atij vendi. Sot të gjithë turistët që po vijnë në Vlorë do të marrin këto prodhime që janë autentike”.

Ai shprehet se prej një viti po punonim që përmes bashksië këta artizanë që janë pjesë e Dhomës së Tregtisë të kenë tashmë një shtëpi të tyre ku mund të shesin produktet e tyre.

“Në këtë treg ka 10-15 biznese të vogla, në të ardhmen synojmë që të ketë 30 pse jo 50 biznese që të mbushet Lungomare. Në të ardhmen do të bëjmë një listim të këtyre bizneseve, ti frymëzojmë dhe mbështesim edhe financiarisht për zgjerimin e tyre”, – thekson Breshani.

Kreu i Dhomës së Tregtisë që qarkun e Vlorës nënvizon se “po shikojmë që qyteti i Vlorës është vërtet turistik. Deri dje turistët nuk mund të merrnin një simbol nga qyteti i Vlorës, sot e kanë plotësisht mundësinë që në shtëpitë e tyre të kenë një prodhim të artizanëve të Vlorës”.

Artizani, Avenir Troqe, shprehet se “tregu i artizanëve për ne është një fitore e madhe, pasi më në fund arritëm të ekspozojmë punimet tona. Duke parë edhe fluksin e madh të turistëve mendoj se kjo është merita e shoqatës “Art CRAFT” dhe një premtim i mbajtur nga kryetari i bashkisë, Dritan Leli, sepse e mbajti fjalën dhe na krijoi kushte të mira”.

“Ne kemi arritur të gjallërojmë edhe jetën në Vlorë. Më parë nuk kishim ku ti ekspozonim punimet tona, kjo është hera e parë që ka një treg artizanësh në Vlorë, jemi të kënaqur ka akomodim, ndriçim edhe stendat janë njësoj”.

Tani edhe Vlora mund të renditet pa hezitim përkrah qyteteve të tjera të vendit, por edhe Europës ku në mjedise dhe hapësira të mirëfillta turistike gjallon edhe tregu i punimeve artizanale vendase e ku turistët apo vizitorët mund të gjejnë suvenire dhe produkte artizanale tipike të zonës.

Tani vizitorët dhe turistët që zgjedhin Vlorën për të pushuar dhe Lungomaren për shëtitjen e mbrëmjes kanë një alternativë më shumë për të zgjedhur e marrë si kujtim edhe produkte artistike të duarartëve vlonjatë.

Punime artizanale në dru, guaska e guralecë, si dhe etnografi kanë zgjuar interesin e turistëve të huaj, por edhe atyre vendas të cilët kur largohen nga qyteti bregdetar marrin me vete suvenire.

Në Lungomare mbrëmjet vlonjate kanë tashmë një aset të shtuar artistik, kulturor e turistik: artizanët vlonjatë me prodhimet e tyre të shumëllojshme që vijnë si trashëgimi nga tradita e popullit tonë në breza./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com