Loading...

Anija “Oriku” shpëton 5 shtetas iranianë në detin Egje

“Oriku” dhe ekuipazhi i saj shpëtuan jetët e para në detin Egje që nga dislokimi atje rreth 3 javë më parë.

Lajmi bëhet i ditur nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka duke theksuar se “detarët tanë shpëtuan 2 gra dhe 3 burra me shtetësi iraniane dhe ia dorëzuan kolegëve të tyre të Rojës Bregdetare turke”.

Anija e Forcës Detare shqiptare “Oriku” dhe ekuipazhi i saj u nisën për në misionin e NATO-s në detin Egje me datë 12 korrik. 21 pjesëtarët e kontingjentit të XIII shqiptar në misionin “Sea Guardian”, u nisën nga Flotilja Detare e Pashalimanit, ku u përcollën nga drejtuesit e Forcës Detare, familjarët dhe kolegët e tyre.

Anija “Oriku” është duke zëvendësuar në zonën e operacionit simotrën e saj “Butrinti”, e cila patrullon prej 6 muajsh në detin Egje. “Oriku” po patrullon në Egje dhe do të qëndrojë atje, deri në fund të vitit, ndërkohë që kontingjenti i XIII do të shërbejë atje për rreth 3 muaj.

Anijet e Forcës sonë Detare patrullojnë prej 2 vitesh e gjysmë në detin Egje ku kanë parandaluar dhe shpëtuar mijëra emigrantë të paligjshëm. Anijet shqiptare janë pjesë e grupit të gatshëm të anijeve të NATO, Standing NATO Maritime Group 2 (SNMG2), në detin Egje./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com