Loading...

Aksioni anti-informalitet, Basha: Po gjobitet biznesi i vogël

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dënoi sot gjobat ndaj bizneseve të vogla, me të cilat mbijetojnë shumica e familjeve shqiptare.

Në një takim me strukturat e PD-së në Belsh, Basha duke folur për aksionin anti-informalitet të ndërmarrë nga qeveria përgjatë ditëve të fundit, tha se “dhuna e tatimorëve ndaj biznesit të vogël bëhet për të financuar luksin e Edi Ramës me disa klientë të tij milionerë”.

“Rama është sponsorizuesi dhe përfituesi kryesor i informalitetit. Ai kaloi ligjet që favorizojnë klientët dhe oligarkët e tij, ndërkohë që rëndon me taksa, tarifa dhe gjoba sipërmarrjet e vogla dhe të mesme”, tha Basha.

Kreu i opozitës tha se keqtrajtimi i biznesit të vogël ishte një nga arsyet pse njerëzit e braktisën Ramën më 30 qershor, duke e kuptuar se ato votime nuk ishin në interes të qytetarëve, por për të thelluar hajdutërinë dhe grabitjen”.

Kreu i demokratëve shprehu vendosmërinë për t’iu përgjigjur thirrjes për ndryshim që 85 % e shqiptarëve bënë më 30 qershor.

“Ka vetëm një forcë që ka fuqinë politike, përvojën qeverisëse, vizionin, vendosmërinë e, mbi të gjitha, kredon morale për ta sjellë këtë ndryshim përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme – tha kreu i opozitës- ajo forcë është Partia Demokratike e Shqipërisë”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com