Loading...

95-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit, rikonstruktohet shkolla që mban emrin e tij

95-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit, simbolit të rezistencës kundër komunizmit, e gjen shkollën 9-vjeçare në Tiranë, që mban emrin e tij, duke u bërë gati për të mikpritur nxënësit për vitin e ri shkollor.

Bashkia e Tiranës po kryen rikonstruksionin e saj, i cili përfshin mjediset e brendshme, nyjet sanitare dhe ndriçimin. Punimet u inspektuan nga nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti, e cila gjithashtu mori pjesë edhe në një koncert të përgatitur nga nxënësit dhe stafi i shkollës për 95-vjetorin e lindjes së At Zef Pllumit, i cili konsiderohet si pasuri kulturore e njerëzore e vendit tonë.

“Sot është 95-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit, një figurë e shquar e popullit shqiptar për sakrificën e madhe gjatë regjimit komunist, dhe mënyra më e mirë për ta kujtuar është ardhja në këtë shkollë, në një institucion të dijes, e cila është një nga shkollat më të mira të bashkisë së Tiranës dhe jemi krenarë që mban emrin e At Zef Pllumbit”, – tha nënkryetarja Anisa Ruseti.

Më tej, ajo theksoi se kjo është njëra nga shkollat ku bashkia e Tiranës po ndërhyn, duke u përgatitur për të pritur vitin e ri shkollor. “Sikundër gjatë gjithë periudhës së verës, e gjithë bashkia e Tiranës ka qenë e fokusuar në ndërtimin e shkollave të reja dhe rikonstruksionin e atyre ekzistuese, sot kemi ardhur të bëjmë inspektimin e punimeve që po zhvillohen tek shkolla “At Zef Pllumi”, duke qenë se është një rikonstruksion total i kësaj shkolle, për të mirëpritur të gjithë fëmijët”, tha Ruseti.

Në mënyrë që të sigurohet mbarëvajtje e mirë e procesit të ri mësimor dhe për të shmangur mbipopullimin në klasa, Ruseti u bëri thirrje prindërve që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkolla afër banesës. “Ky është një moment për t’u bërë apel të gjithë prindërve që janë duke regjistruar fëmijët në shkolla, të fokusohen e t’i regjistrojnë ata në shkollat që i kanë sa më pranë vendbanimit. Kjo do të shmangë orët e gjata në trafik, por edhe do të sigurojë që të gjitha shkollat e Tiranës të kenë të njëjtin standard, duke qenë se bashkia e Tiranës investon me të njëjtën vëmendje në infrastrukturë”, tha ajo.

Shkolla “At Zef Pllumi” ka 29 klasa dhe një kapacitet prej rreth 830 nxënës, duke përfshirë edhe parashkollorin. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com