Në qarkun e Vlorës deri në 18 korrik janë kryer më shumë se 5 mijë vizita në 11 qendrat shëndetësore verore.
Shifrat u bënë publike nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë mbledhjes së komitetit të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në Vlorë.
Ministrja vuri në dukje se plani i masave ka siguruar shërbim 24 orë në shtatë ditë për pushuesit.
“Prej datës 1 qershor, sipas planit të masave të ndërmarra që është bërë traditë në këto vite, kemi hapur qendrat shëndetësore verore me shërbim 24 orë në shtatë ditë, qendra që garantojnë kujdes shëndetësor të organizuar me Qendrën Kombëtare të Urgjencës. Për rajonin qarkun e Vlorës janë 11 qendra shëndetësore verore deri ne 18 korrik janë më shumë 5 mijë vizita shëndetësore të kryera. Janë gjithashtu 11 poastacione fiks të autoambulancave. Këtë vit kemi një përmirësim në nivelin e pajisjeve të ambulancave me mjetet jetëshpëtuese”, -sqaroi ajo.
Sipas Manastirliut, të gjithë spitalet që preken nga turizmi janë përforcuar me mjekë dhe infermierë për të përballuar flukset që vijnë nga sezoni turistik.
Barnat dhe materialet shëndetësore nuk mungojnë në asnjë qendër shëndetësore verore. /atsh