Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë po kryen një investim për përmirësimin e situatës së furnizimit me ujë të fshatrave Kërkovë, Panaja dhe Bestrovë, të njësisë administrative Qendër.
Drejtori i Ujësjellës Kanalizime Vlorë, Dorian Xhelili, theksoi se “jemi duke bërë një ndërhyrje në trungun kryesor të linjës së transmetimit për të gjithë fshatrat Panaja, Bestrovë dhe Kërkovë”.
“Kjo ishte një ndërhyrje e domosdoshme, do të bëjmë një zëvendësim, prej 10 metrash në një linjë transmetimi dhe presim një përmirësim të situatës për furnizimin me ujë për të tre fshatrat. Është një investim i rëndësishëm sa i përket linjës së transmetimit që ndikon në këto fshatrat dhe do të vazhdojë me investime të tjera përsa i përket kësaj zonë në sistemin e ujësjellësit kanalizimeve”, nënvizoi Xhelili duke shtuar se ky investim do të rrisë orët e furnizimit dhe do të përmirësojë atë.
Kreu i Ujësjellës Kanalizime i bëri apel banorëve të këtyre fshatrave të mos e shpërdorojnë ujin.
Po ashtu Xhelili u bëri apel edhe konsumatorëve familjarë dhe privatë në qytet./atsh